wrapper

Të martën, datë 23 prill 2013, filloi punimet në kryeqytetin e Katarit (Doha), Konferenca Ndërkombëtare me temë: "Dialogu Ndërfetar", e cila organizohet për të 10 vit radhazi. Këtë vit ajo ishte nën moton: "Eksperienca të suksesshme të dialogut ndërfetar". Në këtë aktivitet marrin pjesë nga 75 vende të botës rreth 500 përfaqësues të feve kryesore monoteiste në botë: Islamit, Krishterimit dhe Hebraizmit.

Qendra Ndërkombëtare për Dialog Ndërfetar u krijua si rezultat i një rekomandimi të ardhur nga Konferenca Ndërfetare në sesionin e saj të pestë në vitin 2007, ndërsa u hap zyrtarisht në maj të vitit 2008.

Misioni i kësaj Qendre është përpjekja për të arritur dialog konstruktiv mes ndjekësve të besimeve të ndryshme, në drejtim të mirëkuptimit dhe shfrytëzimit të parimeve të ndryshme fetare për të mirën e të gjithë njerëzimit. Vizioni i kësaj Qendre është që të shërbejë si model kryesor në arritjen e bashkëjetesës paqësore në mesin e pasuesve të besimeve të ndryshme, si dhe të shërbejë si një referencë ndërkombëtare për dialog ndërfetar.Ndër qëllimet kryesore të kësaj Qendre përmendim:

•Aktivizimin e vlerave fetare në gjetjen e zgjidhjeve për problemet dhe çështjet që shqetësojnë njerëzimi
•Zgjerimin e fushave të ndikimit të dialogut ndërfetar, të cilat përfshijnë aspekte të jetës që ndërveprojnë me fenë.
•Rritjen e numrit të studiuesve, akademikëve dhe të atyre që kontribuojnë me punimet e tyre në marrëdhëniet mes vlerave fetare dhe çështjeve të jetës bashkëkohore.
•Të qenit një institucion ndërkombëtar që siguron të dhëna akademike, arsimore etj.

Agjencia e Lajmeve të Katarit (Kana) bëri të ditur se në këtë Konferencë marrin pjesë ekspertë e specialistë të kërkimit në fushat e shkencave teologjike dhe teologjisë së krahasuar, si dhe përfaqësues të organizmave fetare dhe universiteteve të njohura, që punojnë në fushën e dialogut ndërfetar, të cilët do të paraqesin arritjet dhe eksperiencat e shënuara në këtë fushë.

Në fjalën e hapjes, Ministri i Drejtësisë së Katarit u shpreh se punimet e kësaj konference tre ditore do të përqendrohen në katër fusha kryesore: akademike, atë të drejtësisë, paqes dhe zgjidhjes së konflikteve, si dhe në fushën e kulturës dhe kanaleve mediatike.

Dr. Ibrahim Naimi, Kryetar i Bordit Drejtues të Qendrës Ndërkombëtare të Dialogut Ndërfetar të Dohas tha për mediat se kjo konferencë plotëson së bashku me sesionet e kaluara në këtë fushë, objektivat e dialogut ndërfetar të filluar në Doha të Katarit që në vitin 2003. Ai falënderoi Emirin e Katarit Sheikh Hamad bin Khalifa Al-Thani për përkujdesjen e tij të veçantë ndaj këtyre sesioneve të dialogimit, përmes të cilave synohet gjetja e mirëkuptimit dhe vendosja e nocioneve të përbashkëta të dialogut mes feve me bazë qiellore në gjuhën e përshtatshme shkencore, ku diskutohet mbi çështje që i shërbejnë gjithë njerëzimit.

Gjatë ditëve të konferencës do të mbahen edhe seanca të posaçme për t'u njohur me eksperienca të suksesshme të teologëve në katër fushat e dialogimit. Ndër referuesit kryesorë të këtyre seancave veçojmë: Sekretarin e Përgjithshëm të Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë, Shejh Muhjidin El-Kara Dagi, At Migel Anhel Xhakob zv.President i Këshillit Politik për Dialogun Ndërfetar në Vatikan, Dr. Reshad Husejn Përfaqësues i Presidentit Barak Obama në OKI, Shejh Ikrima Sabri, Imam i xhamisë Al-Aksa, njëkohësisht dhe Kryetar i Organit Suprem Islam në Palestinë, si dhe Tarik Ramadan, ekspert i shkencave islame dhe Geri Kampbell nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vendi ynë, Shqipëria, përfaqësohet në këtë konferencë ndërkombëtare nga Dr. Ramiz Zekaj, Drejtor i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, i cili merr pjesë për të disatin vit radhazi, si dhe z. Besnik Mustafaj ish-Ministër i Jashtëm.

Last modified on Hene, 28 Nentor 2016

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2