wrapper

Tiranë, 6 maj 2017

Instituti i Integrimit të Kulturës Shqiptare (IIKSH), me qendër në Tiranë, organizoi pranë Akademisë së Shkencave, një veprimtari përkujtimore, në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta të Dr. Ibrahim Gashit, personalitet i shquar i dijes dhe arsimit shqiptar, njëherazi bashkëpunëtor dhe ish drejtues i AIITC.

Të pranishëm ishin familjarë të tij, personalitete të jetës politike e shoqërore, të arsimit, kulturës, letërsisë e shkencës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike, miq e dashamirës të shumtë të tij. Takimin e çeli drejtori i IIKSH, z. Rezart Gashi, i cili i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre dhe i ftoi të ndjekin një dokumentar të shkurtër, realizuar nga Tv Kontakt, rreth jetës dhe veprës së personalitetit shumëdimensional të Dr. Ibrahimit.
Në sesion folën një numër studiuesish, bashkëpunëtorësh dhe familjarësh të dr. Ibrahimit. Ata evidentuan vlerat e tij si veprimtar i arsimit, studiues i pasionuar i matematikës e astronomisë, diplomat me merita të veçanta, intelektual i përkushtuar për çështjen kombëtare dhe prind që i edukoi fëmijët e tij me dashurinë për dijen, atdheun dhe familjen. Në emër të Shoqatës “Tirana” përshëndeti kryetari i saj, Arben Tafaj, i cili shprehu mendimin që t’i propozohet Presidentit të Republikës, për ta nderuar Dr. Ibrahim Gashin me një titull të lartë.

Në pamundësi për të qenë i pranishëm drejtori i Institut Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, fjalën e tij e përcolli nëndrejtori i Institutit, Alban Kodra. Ai theksoi se kontributi i Dr. Gashit ka lënë gjurmë të pashlyeshme në veprimtarinë 20 vjeçare të Institutit, si nëndrejtor, anëtar i Bordit Drejtues dhe anëtar i redaksisë “Univers”. Ndër to ai përmendi botimin nga AIITC të dy monografive shkencore rreth Kalendarit Hënor dhe Kalendarit Mali Rumi, organizimin e të parës dhe të vetmes konferencë shkencore rajonale rreth kalendarëve dhe takvimeve islame tek shqiptarët, e cila u zhvillua në Strugë në vitin 2005, me pjesëmarrje specialistësh të fushës dhe teologësh nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi trasimin e rrugës për botimin e Fjalorit të Orientalizmave në gjuhën shqipe, etj.

Kjo veprimtari përkujtimore u mbyll më një kokteil të shtruar nga familjarët, ku bisedat dhe kujtimet vazhdonin mes të pranishmëve.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2