wrapper

Prishtinë, 18.05.2017

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, me rastin e 65-vjetorit të veprimtarisë së Medresesë së Mesme "Alaudin", në bashkëpunim me Drejtorinë e Medresesë, organizon në datat 17 - 19 maj konferencën shkencore kushtuar kësaj vatre arsimore fetare dhe kombëtare. Në këtë konferencë ndriçohet roli, kontributi dhe veprimtaria e këtij institucioni për arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj, si dhe rrugëtimin e tij për gjatë këtyre viteve.

Në hapje të konferencës morën pjesë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, dhe përfaqësues të lartë të shtetit të Kosovës. Të pranishëm ishin, gjithashtu, përfaqësues nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH), nga Bashkësisë Fetare Islame e Maqedonisë (BFIM), përfaqësues të Bashkësisë Islame të Sanxhakut, si dhe të ftuar të tjerë nga bota akademike, fetare e kulturore nga vendi e rajoni.

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) mori pjesë në punimet e ditës së dytë të konferencës me kumtesën e titulluar “Institucionet arsimore islame në trojet shqiptare: Pasqyrë historike për medresetë dhe shkollat e larta.” Në këtë kumtesë parashtrohet zhvillimi i arsimit islam në trevat shqiptare përgjatë 5 shekujve të hyrjes së Islamit në to e deri në ditët e sotme.

Autori i saj, Prof. as. Dr. Ramiz Zekaj, pasqyron në mënyrë të përmbledhur shtrirjen e shkollave islame në krahinat shqiptare, ciklet e tyre të ndryshme dhe evoluimin e programeve të tyre mësimore në përshtatje me zhvillimet politike dhe shoqërore të vendit. Sipas tij, medresetë shërbyen ndër vite si institucione fetare, arsimore, kulturore dhe edukative, por edhe si vatra të kualifikuara të përfitimit e të përhapjes së ideve islame dhe, njëkohësisht, përhapëse të diturisë e të idealeve të larta njerëzore e qytetare.

 

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2