wrapper

Muaji i Ramazanit është një muaj reflektimi, ku besimtarët shtojnë lutjet ndaj Zotit dhe i përkushtohen leximit të botimeve fetare, për të zgjeruar njohuritë e tyre mbi besimin islam. Këtij qëllimi i shërben edhe nisma e përvitshme e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, nëpërmjet dhurimit të disa prej botimeve më interesante, si Kurani i Madhërishëm, Hyrje në Islam, Muhtesar Sahih el-Buhari, Leximi i mendjes së muslimanit, Drita e zemrës etj.

Qëllimi i kësaj nisme është formimi fetar i besimtarëve me njohuritë bazë mbi Islamin, me mësimin e ajeteve kuranore, apo me sqarimin e shumë pikëpyetjeve rreth fesë islame. Libroteka AIITC gjatë gjithë vitit bën dhurime librash të zhanreve të ndryshme, por ky muaj është edhe më i veçantë, pasi botime të tilla fetare priten me mjaft interes dhe kureshtje nga besimtarët muslimanë si dhe ata që porsa kanë nisur rrugën e praktikumit të kësaj feje.

Kurani i Madhërishëm është Libri i Shenjtë që i është transmetuar Profetit Muhamed (a.s.). ai është udhërrëfyesi për besimtarët muslimane dhe një nga librat më të përhapur në të gjithë botën. Kurani ka ardhur në botimet e AIITC në disa versione, duke iu përmbajtur fjalë për fjalë tekstit origjinal, të shprehur me një shqipe të qartë e të saktë.

“Hyrje në Islam” i autorit dr. Muhamed Hamidullah, është një nga librat më të njohur mbi fenë islame në shek. XX, i përkthyer në mbi 12 gjuhë të botës dhe përmban shtyllat kryesore të fesë islame. Autori flet në mënyrë të detajuar për çështje si koncepti i besimit në Zot, fillesat e ndërgjegjësimit fetar, shpallja hyjnore, jeta dhe misioni i Pejgamberit (a.s.), historia e Kuranit dhe hadithit, koncepti islam për jetën fetare dhe shpirtërore, librat e shpallur dhe profetët e Zotit, engjëjt dhe jeta e përtejme. Në të trajtohen edhe çështje politike, ekonomike e sociale, të tilla si: historiku i shtetit islam, forma e shtetit dhe e qeverisjes, sistemi bankar dhe kontratat tregtare, sigurimet shoqërore etj.

“Sahih El-Buhari” është një prej librave më të mëdhenj e të dobishëm për Islamin dhe mbahet si burimi i dytë autentik i shkrimeve islame, pas Kuranit. Rëndësia e tij qëndron në faktin se të gjitha hadithet e përfshira në të, janë origjinale dhe mbulojnë një gamë shumë të gjerë të mësimeve islame. Ndërsa Muhtesari i botuar nga AIITC, është përkthim i një versioni të shkurtuar, që sjell lehtësi në përdorim. Libri përmban 2221 hadithe autentike, pra një e treta e “Sahih El-Buharit”. Këto hadithe shërbejnë si referencë për studiuesit e Islamit, studentët e fakulteteve teologjike dhe nxënësit e medreseve, si rregullator i jetës dhe i fesë së çdo besimtari musliman shqiptar.

“Leximi i mendjes së muslimanit” konsiderohet si libri që mundi të ndryshojë të menduarin e botës. Autori Hassan Hathout jep këndvështrimin e tij mbi Islamin mes dy kulturave, asaj të Lindjes dhe të Perëndimit. Libri paraqet një analizë logjike të faktorëve që tregojnë ekzistencën e Zotit dhe pasojave të kësaj ekzistence në qeniet njerëzore, në ringjalljen dhe në jetën e përtejme. Gjithashtu autori trajton lidhjen e Islamit me Hebraizmin dhe Krishterimin, ku thekson se qytetërimi islam i dha botës perëndimore themelet ku mund të ndërtonte qytetërimin e vet. , bën një vëzhgim të shkurtër në trungun e së drejtës islame.

Ndërsa libri “Drita e zemrës”, i autorit Ramiz Zekaj, është një përmbledhje e shkurtër rregullash e mësimesh nga feja islame për fëmijët e vegjël që sapo kanë filluar të futen në rrugën e besimit. Ai përmban disa nga parimet bazë të besimit islam, ku përfshihen 5 shtyllat e Islamit, rregullat e abdesit, dymbëdhjetë kushtet e namazit, mbulesa e trupit, agjërimi i Ramazanit, dhënia e zekatit, rituali i haxhit, lutjet e përditshme, sjellja ndaj prindërve etj.

Të gjitha këto botime janë një dhuratë e çmuar për çdo besimtar që kërkon të thellohet në dituri dhe në njohjen e Islamit. Pikërisht, Muaji i Ramazanit është edhe momenti më i volitshëm për shpërndarjen e këtyre librave, gjatë ceremonive të iftarit që AIITC organizon në të gjithë xhamitë që ky institut ka ndërtuar pothuajse në të gjithë vendin e ku mblidhen qindra besimtarë për ta përjetuar edhe më bukur agjërimin.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2