wrapper

Kavajë, 05.05.2019

Përveç ndjekjes së kurseve të gjuhëve të huaja dhe të edukatës islame, fëmijët e Qendrës Social-Kulturore Gërmenj organizojnë edhe veprimtari kulturore, artistike e festive. Një prej tyre ishte edhe aktiviteti “Ramazani, pranvera e zemrave”, kushtuar këtij muaji të begatë për besimtarët muslimanë. Me pjesëmarrjen e më shumë se 100 të pranishmëve, mësues, prindër, besimtarë e banorë të zonës, programi festiv nisi me leximin e disa ajeteve kuranore. Më pas fëmijët interpretuan disa ilahi dhe recituan poezi për Ramazanin.

Gjatë fjalës përshëndetëse, Përgjegjësi i Departamentit të Mualimëve pranë Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, z. Pëllumb Jaupaj, përgëzoi fëmijët për këtë program kaq të larmishëm, çka tregon përkushtimin e tyre në përvetësimin e dijeve që transmetohen në këtë qendër. Duke folur për mirësitë dhe madhështinë e Ramazanit, drejtori i Qendrës social-kulturore Gërmenj, njëkohësisht imam i kësaj xhamie, teologu Altin Shehu, theksoi se ky është muaji i mëshirës, i lumturisë dhe i pastrimit të shpirtit dhe trupit përmes agjërimit, muaji i faljes dhe i mirëkuptimit.

Aktiviteti vazhdoi me vënien në skenë të minidramave “Çdo Ramazan ka ngjyra të ndryshme” dhe “12 muaj”, ku fëmijët përmes roleve të tyre shfaqën një talent të spikatur artistik. Mjaft interesant ishte edhe monologu "Vështrim mbi Ramazanin", që u ndoq me kureshtje nga të pranishmit. Gjithashtu në Power Point u shfaqën edhe një mori fotosh nga aktivitetet e larmishme të kësaj qendre gjatë viteve.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2