wrapper

Kurset verore intensive të Edukatës islame vijojnë rrugëtimin e tyre pranë xhamive dhe Qendrave social-kulturore, të ngritura nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam në disa qytete e fshatra. Ato po shoqërohen me një larmi aktivitetesh social-kulturore, kryesisht ekskursione në vende turistike, shëtitje në bregdet, apo lojëra të ndryshme sportive etj., ku marrin pjesë qindra djem dhe vajza të moshave 6-14 vjeç.

Kështu, fëmijët e kursit veror të xhamisë Momël, në Kavajë, zhvilluan një ekskursion në qytetin e Tiranës, ku vizituan Kopshtin Zoologjik dhe Parkun e Liqenit Artificial. Ata u njohën nga afër me kafshë dhe shpendë të egra dhe të rralla, apo me mjellmat dhe rosat e baseneve ujore. Më pas, bënë një shëtitje në Parkun e Liqenit Artificial, ku panë nga afër llojet e ndryshme të bimëve dhe pemëve që rriten në këtë park, si dhe u argëtuan në këndin e lojërave që ndodhet në hyrje të tij.

Një tjetër ekskursion u zhvillua me fëmijët që ndjekin kursin veror intensiv të edukatës islame në xhaminë Gruemirë të fshatit Çezmë. Ata vizituan fshatin turistik Tamarë të Malësisë së Madhe, e njohur për ujëvarën e saj mahnitëse që vizitohet çdo vit nga qindra turistë, vendas e të huaj.
Lojërat sportive janë të shpeshta nga fëmijët e këtyre kurseve verore, sidomos nga djemtë. E tillë ishte edhe ndeshja e minifutbollit, e organizuar nga mësuesit dhe djemtë e kurseve verore intensive të Kavajës.

Gjatë aktiviteteve të shumta, të realizuara gjatë këtyre ditëve, si noti, lojërat e ndryshme në bregdet dhe shëtitjet përgjatë brezit të pishave, lanë mbresa të paharrueshme në kujtesën e fëmijëve. Këto aktivitete janë një mundësi e mirë, jo vetëm për argëtimin, por edhe për zgjerimin e njohurive të fëmijëve në disa fusha, si të dhëna historike e gjeografike, njohja e Florës dhe e Faunës, njohja e zakoneve dhe e ushqimeve tradicionale të disa zonave etj.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2