wrapper

Data 20 qershor 2014 shënoi një ditë të veçantë për Komunitetin Musliman të Shqipërisë, sepse përuroi në Shkozet të Durrësit kompleksin islam më të madh dhe më modern në vend, të ndërtuar tërësisht me kontribut shqiptar. Një investim i tre vëllezërve Bajrami, kompleksi përbëhet nga Xhamia "Riza Bajrami" me katër minare madhështore dhe qendra sociale moderne "Nënë Ilmija" që shtrihet përbri xhamisë.

Qendra përmban bibliotekë, salla mësimi, konvikt dhe mencë. Më tej kompleksi shtrihet në një sipërfaqe të madhe në mes të së cilës qëndron një shatërvan që zbukuron një libër madhështor të gdhendur në gur e që simbolizon Kuranin e madhërishëm. Po ashtu, edhe portiku i kompleksit zbukurohet nga një libër Kurani i gdhendur në gur e anash tij qëndrojnë dy librari.

Ditën e premte me mijëra besimtarë, dashamirës dhe qytetarë të zonës, si dhe të ardhur nga e gjithë Shqipëria, por edhe më gjerë nga Kosova, Maqedonia, madje dhe nga Italia morën pjesë në përurimin e kësaj qendre madhështore islame. Të ftuar ishin edhe krerët e bashkësive islame të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë, përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Kuvendit të Kuvajtit, ambasadorë të shteteve të huaja, myftinj dhe përfaqësues të organizatave islame në vend etj.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe Dr. Ramiz Zekaj, Drejtor i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, i cili ka dhënë kontribut në pajisjen e bibliotekave të komplektin me një kontingjent të madh nga botimet e tij. Jo vetëm kaq, por AIITC përgatiti për të shpërndarë te të pranishmit në ditën e ceremonisë me qindra nga botimet e tij, midis të cilave spikatën libri i Kuranit në gjuhën shqipe në format xhepi dhe libri "Drita e zemrës" në format të vogël. Me këtë rast, stafi i AIITC ngriti një stendë në dalje të kompleksit, ku ekspozoi librat e mësipërm, si edhe broshura të tjera rreth Ramazanit, namazit, besimit etj. Interesi i pjesëmarrësve për këto botime ishte i lartë.

Në përfundim të përurimit, ata patën rastin që të merrnin me vete edhe këtë dhuratë të çmuar nga AIITC, e cila ia shtoi edhe më shumë gëzimin ceremonisë madhështore të përurimit që kishin organizuar ndërtuesit e kompleksit.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2