wrapper

Kurset e kulturës islame për moshat e reja përbëjnë një nga drejtimet e veprimtarisë mësimore që zhvillon Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam në bashkëpunim me qendra të ndryshme në vend. Përveç programit mësimor, këto kurse ndjekin edhe një plan veprimtarish jashtëkurrikulare, kryesisht të karakterit fizik e argëtues, me qëllime edukative.

Në këtë kuadër, java e fundit e muajit shkurt iu kushtua organizimit të një vargu aktivitetesh sportive me nxënësit e këtyre kurseve. Ideja kryesore e zhvillimit të tyre buron nga vizioni gjithëpërfshirës i botëkuptimit islam për njeriun. Sipas këtij vizioni, njeriu është qenie me shpirt dhe me trup, prandaj e ka detyrë që të plotësojë nevojat shpirtërore dhe, në të njëjtën kohë, të mos neglizhojë anën fizike dhe faktorët që ndikojnë pozitivisht tek ai. Prej këtej vjen dhe thënia profetike: "Besimtari i fortë është më i mirë para Zotit sesa besimtari i dobët, ndonëse mirësia gjendet tek të dy". Nga kjo kuptohet roli i rëndësishëm i sportit si mjet për forcimin e trupit, çka e bën ushtrimin e tij një kërkesë të domosdoshme fetare.
Veprimtaritë sportive u mbajtën nën moton "Për trupin tënd ke detyrime". Në më shumë se 10 qendra u zhvilluan ndeshje futbolli, gara vrapimi, tërheqje me litar, lojëra të ndryshme me top, marshime sportive në natyrë e të tjerë. Në to u aktivizuan rreth njëqind e pesëdhjetë fëmijë të moshave 7 – 17 vjeç, djem dhe vajza. Përvoja e bukur e përjetuar prej tyre gjatë kësaj jave, është një motiv për përsëritjen e këtij aktiviteti në mënyrë periodike, çka ndikon pozitivisht në mbarëvajtjen e kurseve.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2