wrapper

Me rastin e ditës ndërkombëtare të të moshuarve, imamët e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam zhvilluan një vizitë në shtëpinë e të moshuarve në Kavajë, ku u pritën nga drejtori i këtij institucioni, që shprehu mirënjohjen për kujdesin e treguar ndaj të moshuarve të kësaj shtëpie.

Pasi i prezantoi imamët me ambientet ku jetojnë të moshuarit, drejtori i njohu ata me problemet dhe nevojat më emergjente të kësaj shtëpie dhe të disa prej të moshuarve. Mes tyre u zhvillua një bisedë e ngrohtë dhe në fund të kësaj vizite imamët u ofruan të moshuarve disa broshura të ndryshme fetare dhe u premtuan se problemet e tyre do të jenë në vëmendjen e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam.

Një tjetër aktivitet kushtuar të moshuarve u organizua nga xhamia e fshatit Gërmej. Përgjegjësi i imamëve pranë AIITC-së dhe imami i xhamisë së këtij fshati pritën në një takim të veçantë pranë Qendrës social-kulturore të xhamisë, të moshuarit e Azilit të qytetit të Kavajës.

Vizitorët patën mundësi të sodisin ambientet e xhamisë dhe qendrës social-kulturore, ku u mbajt edhe një fjalë e rastit nga imami i xhamisë.

Më pas u shtrua edhe dreka e përgatitur enkas për këta të moshuar me ushqime të zonës. Të moshuarit falënderuan organizatorët për këtë pritje si dhe shprehën dëshirën që aktivitete të tilla të organizohen edhe në të ardhmen.

Një vëmendje e veçantë nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam i kushtohet edhe fëmijëve. Xhamia Momël organizoi një ekskursion argëtues me fëmijët e kursit të mësim-besimit në këtë xhami, me mbështetjen e AIITC-së.

Fëmijët kaluan gëzueshëm një ditë të këndshme në qytetin e Durrësit. Ekskursioni u shoqërua me argëtim, lojëra dhe shëtitje në bregdetin e këtij qyteti, pa harruar edhe drekën e këndshme, përgatitur posaçërisht për të vegjlit.

Qëllimi i kësaj vizite ishte largimi nga rutina dhe atmosfera e përditshme që rrethon fëmijët, duke shërbyer kjo si një nxitje që ata të marrin pjesë në kursin e mësim-besimit.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2