wrapper

Tiranë, 01.03.2018

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam në bashkëpunim me qendrën social-kulturore Ishëm organizuan seminarin me temë: “Perspektiva e nxënies së dijeve”. Ky seminar mblodhi në ambientet e qendrës maturantët e rrethinave të Ishmit, për të dëgjuar fjalën e Prof. as. dr. Edlira Abdurahmani, pedagoge në Departamentin e Gjuhës Shqipe pranë universitetit Aleksdandër Mojsiu, Durrës.

Programi nisi me fjalën e përfaqësuesit të AIITC, z. Pëllumb Jaupi, i cili theksoi rëndësinë e programeve të tilla, që ndriçojnë rrugën e studentëve në kërkimin e dijes. Sipas tij dija është një mjet shumë i rëndësishëm, që na hap horizonte, me anë të të cilave ne mësojmë rreth rolit tonë, si pjesë integrale e shoqërisë.

Pasi bëri një prezantim të shkurtër të vetes dhe jetës së saj akademike, Prof. Edlira Abdurahmani në ligjëratën e saj u përqendrua në disa nga rrugët që mund ta shtyjnë nxënësin e sotëm dhe studentin e së nesërmes drejt kërkimit të diturisë, si një burim që nuk shteron kurrë. Sipas saj vetëm studimi i vazhdueshëm dhe kërkimi shkencor janë çelësi i suksesit të një studenti, që më pas sjell hapjen e shumë dyerve në jetën e tij.

Të pranishmit i kushtuan një vëmendje të veçantë këshillave të saj të vyera mbi perspektivat e të mësuarit dhe marrjes së dijeve. Ajo u tërhoqi vëmendjen studentëve edhe në lidhje me kujdesin që duhet të kenë në drejtimin që do të marrin në jetë, duke bërë zgjedhjet e duhura. Zgjedhja e një dege në universitet është një përgjegjësi që do të na shoqërojë gjatë gjithë jetës, ndaj kërkon një kujdes të veçantë dhe pse jo, konsultim me prindërit apo specialistë të fushës së arsimit.

Në përfundim të seminarit, z. Jaupi i ftoi të pranishmit të merrnin pjesë në koktejin e përgatitur me këtë rast, ku studentët e pranishëm patën rastin t’i drejtonin pyetje të mëtejshme Prof. Abdurahmanit në lidhje me temën, por edhe mbi çështje të tjera me rëndësi për moshën e tyre.

Edlira Abdurahmani është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori- Filologji dhe më pas ka marrë gradën shkencore “Master në Gjuhësi”, me drejtim Sociolinguistikën si dhe gradën “Doktor” në Gjuhësi. Që prej vitit 2007 e në vazhdim vijon punën si lektore pranë universitetit “Aleksandër Mojsiu”, Durrës. Së fundmi senati akademik e ka zgjedhur anëtare të Komisionit të Përhershëm të Standardeve Akademike dhe Cilësisë si dhe anëtare të Këshillit të Kërkimit Shkencor. Ajo është autore e monografisë shkencore “Çamërishtja, aty ku skajet atakohen”, e tekstit “Thelbi i Sociolinguistikës” si dhe e më shumë se 45 publikimeve në revista shkencore dhe konferenca rajonale, kombëtare dhe ndërkombëtare.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2