wrapper

Fshati Tujan është vetëm pak kilometra në periferi të Tiranës, por shenjat e varfërisë duken ndjeshëm në fytyrat e banorëve të tij. Mungesa e infrastrukturës e vështirëson jetesën e tyre, por edhe më problematike është situata me ujin e pijshëm. Ata janë të detyruar të mbushin ujë disa metra larg shtëpisë së tyre, në kroin e vetëm që ka ky fshat. Sipas banorëve, kroi është ndërtuar 120 vjet më parë nga stërgjyshërit e tyre dhe materialet për ndërtimin e tij (çimento etj.) janë blerë në Angli. Por, që prej asaj kohe, nuk është bërë asnjë ndërhyrje dhe kroi ishte në gjendje mjaft të amortizuar.

Pas kërkesës së komunitetit të kësaj zone, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam mori përsipër rindërtimin e tij. Kroi me ujë të pashterur në katër dalje, që furnizon me ujë të pijshëm rreth 50 familje të këtij fshati, i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë. Punimet nisën në datën 16.06.2018 dhe brenda 1 jave ai ishte gati. Përveç sistemit të tubacioneve, janë bërë edhe punime dekorative dhe veshje me gurë mermeri të kroit, duke ju ndryshuar komplet pamjen, për ta sjellë në një formë krejt të re, në shërbim të banorëve të zonës.

Por ky nuk është i vetmi investim që AIITC ka marrë përsipër në këtë zonë. Po kështu në fshatin Tujan AIITC ka sponsorizuar edhe ndërtimin e një shkolle fillore, për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë, që shumë shpejt do të kenë një shkollë pranë shtëpive të tyre. Ndërsa në bashkëpunim me Shoqatën Kulturore “Gruaja”, janë marrë masa për rindërtimin e shtëpisë së një familjeje të varfër që jetonte në kushte ekstreme. Rikonstruktimi nga e para e banesës së tyre ishte një domosdoshmëri, për t‘u ofruar anëtarëve të kësaj familjeje kushte komode jetese. Këto investime konfirmojnë vullnetin e Institutit AIITC për t‘i ardhur në ndihmë komunitetit, sidomos në zonat më problematike.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2