wrapper

Ditën e shtunë datë 08.06.2013 Shoqata "Bashkësia Dibranë" në bashkëpunim me shoqatën "Tirana", nën kujdesin e veçantë të Bashkisë së Tiranës, si dhe me mbështetjen e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, organizoi në mjediset e Hotel Tirana International ceremoninë e promovimit të librit "Dibranë dhe Tiranas 100 vjet së bashku" të autorit Dr.Faruk Borova.

Ky libër vjen para publikut shqiptar me rastin e 100 vjetorit të eksodit tëdibranëve. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin: Kryetari i Bashkisë së Tiranës z.Lulzim Basha, Kryetari i Komunës së Dibrës së Madhe z.Ruzhdi Lata, Kryetari i shoqatës "Tirana" z. Arben Tafaj, përfaqësues të fushës politike, përfaqësues të instituticoneve të ndryshme shtetërore dhe joqeveritare, miq, të afërm, bashkëpunëtorë dhe dashamirës të Dr. Farukut, dibranë dhe tiranas, etj.
Ishte vet Dr. Faruk Borova që mbajti fjalën e parë përshëndetëse të këtij promovimi, i cili në fillim falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në këtë ditë të veçantë për të. Më pas ai i bëri një rezyme
të shkurtër librit që promovonte, ku ndër të tjera nxorri në pah vlerat më të larta të dibranëve, si dhe bujarinë dhe mikpritjen e tiranasve, të cilët i hapën portat e shtëpive dhe zemrave të tyre dibranëve, pikërisht në atë kohë kur ata kishin më së tepërmi nevojë Ai gjithashtu përmendi faktin se si dibranët emigruan drejt Tiranës dhe jo drejt një qyteti tjetër, mos ndoshta e parandienin se Tirana do të kishte këtë zhvillim që ka tani dhe do të bëhej kryeqendra e Shqipërisë? Dr. Borova e përfundoi fjalimin e tij duke cituar një pjesë nga fundi i librit, ku ai përmend shembullin e dy të rinjve dibranë dhe tiranas në vitin 2030, ku vetëm ata të dy do ta dinë se nga e kanë prejardhjen, pra cili prej tyre është tiranas dhe cili dibranë, ndërsa të tjerët as që kanë për ta kuptuar. E gjithë kjo ndodh për shkak të shkrirjes dhe gërshetimit të të gjitha dallimeve në një të vetme.

Më pas fjalën e mori Kryetari i Komunës së Dibrës së Madhe z. Ruzhdi Lata, i cili emocionoi të gjithë të pranishmit me fjalën e tij. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë të gjithë ato familje tiranase të asaj kohe, të cilët mikpritën me shumë dashuri dhe bujari dibranët, të cilët të detyruar nga shovinizmi dhe reprezaljet serbe morrën rrugën e
mërgimit, pa e ditur se ku do të përfundojnë. Z. Lata shtoi:"Kur vijmë në Tiranë, na duket sikur vijmë në shtëpinë tonë të dytë, sepse Tiranën e konsiderojmë "nënën e madhe" të të gjithë shqiptarëve anëkënd botës". Miku
nga Dibra e Madhe, falëndëroi dhe përgëzoi autorin e librit Dr. Faruk Borova, për nismën që kishte ndërmarrë duke sjellë dhe paraqitur para publikut shqiptar informacione, detaje, dhe përjetime emocionale që nga eksodi i
dibranëve në vitin 1913 e deri në vitin 2013,vit kur mbushen plot 100 vjet të bashkëjetëses dibranë dhe tiranas së bashku. Ai gjithashtu e konsideroi këtë aktivitet si një ngjarje historike për të gjithë shqiptarët në përgjithsi,
dhe për komunitetin dibran dhe tiranas në veçanti.

Fjalën e radhës e mbajti Kryetari i Shoqatës "Tirana" z. Arben Tafaj, i cili tha: "Ndihem i privilegjuar që jam i pranishëm në një aktivitet të tillë, ku në fokus janë dy komunitetet më të mëdha të Tiranës, dibranë dhe Tiranas".
Ai gjithashtu përmendi faktin e përshtatjes së të dy komuniteteve në shumë drejtime, si në traditat e ndryshme, lidhjen e martesave mes të dy komuniteteve, bashkëpunimin e
frytshëm, etj.

Aktivitetin e përshendeti edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Lulzim Basha, i cili edhe ai falënderoi familjet autoktone tiranase për mbështetjen e madhe dhe të pashlyeshme që i ofruan dibranëve gjatë kohës së eksodit të
vitit 1913. Ai tha gjithashtu se ishte nip dibre, megjithatë veten e ndiente dhe konsideronte si djalë dibre. Ai nuk la pa cekur edhe punimet që bëhen për "Rrugën e Arbrit" e cila në një afat kohor shumë të shpejtë do të
përfundojë dhe do të lidhë më tepër Dibrën dhe dibranët me Tiranën dhe tiranasit.

Një panoramë më të detajuar, më konkrete, më konçize të librit "Dibranë dhe Tiranas 100 vjet së bashku" paraqiti z.Bedri Telegrafi, i cili në fillim përcolli në mënyrë të veçantë për të gjithë të pranishmit përshëndetjet e Drejtorit të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam Dr. Ramiz Zekaj, si dhe të AIITC në përgjithsi, institut i cili e ka mbështetur botimin e këtij libri, si dhe organizimin e kësaj ceremonie promovimi.
Z.Bedri Telegrafi përmendi ato fakte përtej rreshtave të këtij libri. Ai përmendi se dibranët nuk e patën fatin ta gëzojnë pavarësinë e Shqipërisë, ashtu si të gjithë shqiptarët e tjerë, sepse shovinizmi serb nuk i la. Gjithashtu z. Telegrafi përmendi dëmet e shumta të agresionit serb si: me mijëra njërëz të vrarë, burra, gra, pleq e fëmijë, me mijëra shtëpi, xhami e teqe të djegura e të shkatërruara. Pikërisht këto ishin ndër shkaqet më kryesore që detyruan më shumëse 20.000 dibranë të emigrojnë drejt qyteteve të tjera të Shqipërisë, por edhe jashtë saj,por kryesisht në Tiranë, e cila në atë kohë përbehej nga 8000 banorë.

Recensenti i këtij libri Bedri Telegrafi nuk harroi të nxjerr në pah para të pranishmëve edhe heroizmin, vendosmërinë dhe rezistencën e dibranëve për të mbrojtur vendin e tyre nga çdokush që synon të cënojë të drejtat dhe kufinjtë e tyre gjeografikë dhe jo vetëm. Z. Bedri Telegrafi tha se Dibra ka nxjerrë burra të rrallë, që ushndërruan në personalitete të shquara të vendit tonë si: Vehbi Dibra, Haki Sharofi, Isuf Elezi, Iljaz Dibra etj.

Një shembull konkret të lidhjes së ngushtë të dibranëve me tiranasit edhe në ditët e sotme e dha nën/kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, z. Zamir Ndroqi, i cili është nga Tirana, ndërsa bashkëshorten e ka dibrane.
Ai theksoi harmoninë dhe dashurinë reciporke që gëzojnë këto dy komunitete për njëri-tjetrin. Të gjithë të pranishmëve iu dhurua nga një kopje e këtij libri, për t'u njohur më nga afër me përmbajtjen e tij. Edhe në këtë ditë të veçantë për Kryetarin e Bordit Drejtues të AIITC, Dr. Faruk Borova, AIITC i qëndroi pranë duke vënë në shërbim të tij të gjithë stafin teknik që disponon. Ceremonia e promovimit të këtij libri u shoqërua edhe me një kokteil për t'i dhënë mundësinë të gjithë të pranishmëve për të diskutuar nga afër në lidhje me librin .

E urojmë Dr.Faruk Borova për këtë libër, duke i dëshiruar suksese të mëtejshme dhe libra të tjerë, po aq të rëndësishëm.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2

 

Template Settings

Color

For each color, the params below will give default values
Blue Green Red Radian
Select menu
Google Font
Body Font-size
Body Font-family