wrapper

Ditën e shtunë, datë 19 tetor 2013, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) organizoi në sallën e bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar, promovimin e librit "Shoqata Kulturore Shqiptaro-Turke "Hasan Tahsini" – 20 vjet veprimtari", me autor historianin dhe folkloristin e mirënjohur Ibrahim Hoxha, në të njëjtën kohë edhe kryetari i shoqatës. Të pranishëm ishin drejtues institucionesh shtetërore dhe joqeveritare, studiues, politikanë, bashkëpunëtorë të ngushtë të Ibrahim D. Hoxhës, miq dhe dashamirës të tij. Në veçanti përmendim: deputetin e PDIU Tahir Muhedini, kryetarin e shoqatës "Çamëria" Ardian Tana, Kryetari i Bordit Drejtues të AIITC, dr. Faruk Borova etj.

Ceremoninë e promovimit e hapi nëndrejtori i AIITC, z. Alban Kodra, i cili ndër të tjera tha se Ibrahim D. Hoxha ishte një bashkëpunëtor i palodhur i AIITC dhe se bashkëpunimi që kanë pasur me shoqatën e themeluar dhe kryesuar prej tij ka qenë në kuadrin e interesave të përbashkëta midis dy institucioneve në fushën shkencore dhe kulturore. Sipas tij, AIITC ka mbështetur një gamë të madhe të aktiviteteve të kësaj shoqate si: takime shkencore dhe simpoziume, në të cilat është promovuar kontributi i çmuar i atdhetarëve të mirënjohur si: Hoxha Hasan Tahsini, dijetari Muhamet Çami (Kyçyku), nga të parët që futi mësimin shqip në medresetë shqiptare etj.

Më tej z. Kodra u shpreh se studiuesi Ibrahim D. Hoxha ka pasur mbështetjen e AIITC në botimin e disa prej veprave të tij, si: "Viset kombëtare shqiptare në shtetin grek", "Bilbila dhe thëllëza çame", "Vjershëtarë të hershëm çamër" etj., si dhe botuar disa prej punimeve të tij në revistën shkencore-kulturore "Univers".

Më pas referoi historiani Bedri Telegrafi, i cili u shpreh: "Në këtë libër publiku shqiptar do të marrë informacion mbi aktivitetin 20-vjeçar të shoqatës shqiptaro-turke "Hasan Tahsini", ku do të njihet me takimet e zhvilluara, seminaret, në të cilat kanë referuar figura të njohura shqiptare si: shkrimtarë, artistë, matematicienë, politikanë, etj. 20 vjet më parë, shqiptarët dinin shumë pak rreth Hasan Tahsinit, por kjo shoqatë, që më themelimin e saj ka promovuar vlerat dhe personalitetin e tij." Z. Bedri Telegrafi i bëri një skanim veprimtarisë së shoqatës, veprimtari që pasqyrohet në librin e promovuar.

Referati i radhës u mbajt nga redaktori i librit, studiuesi Enver Kushi, i cili e lartësoi figurën e Ibrahim Hoxhës duke thënë: "Zëri dhe shpirti i gjallë i Çamërisë është Ibrahim D. Hoxha. Ai ka bërë një punë të palodhur për këtë vend. Ky libër që promovojmë është i 17-ti që i shtohet korpusit të autorit. Ibrahim D. Hoxha është një nga tahsinianët e shquar, i cili promovi veprën e Hasan Tahsinit nëpërmjet dhjetëra shkrimeve për këtë figurë".

Z. Kushi shprehu keqardhjen për mosorganizimin e ndonjë aktiviteti për Hasan Tahsnin në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, pasi Tahsini ka dhënë një kontribut jo të pakët për mëvetësimin e vendit tonë. Më tej studiuesi Enver Kushi shtoi: "Ibrahim Hoxha ka ngritur shumë monumente të Çamërisë, ka edhe libra të tjerë që presin të botohen". Në fund të fjalimit të tij z. Kushi i dhuroi autorit një DVD që përmbante dasmën çame.

Në fund fjalën falënderuese e mori vetë Ibrahim D. Hoxha i cili shprehu falënderime pa fund për të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë gjithë veprimtarisë së tij, në veçanti ai falënderoi AIITC dhe Dr. Ramiz Zekaj, i cili i ka ofruar mbështetje pa kushte. Më tej, Ibrahim Hoxha paraqiti një ekspoze të shkurtër të jetës dhe të veprës së tij të deritanishme, edhe pse mbi supet e tij mban 91 vjet, ende vazhdon të punojë me një energji djaloshare.

I gjithë aktiviteti kaloi nën një atmosferë të këndshme, ku u pasua edhe nga diskutime dhe vlerësime nga të pranishmit gjatë koktejlit të organizuar në fund të promovimit.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2