wrapper

Faktorizimi shoqëror i qendrave kulturore islame në anë të ndryshme të vendit është një objektiv që Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam është përpjekur ta përmbushë nëpërmjet mbështetjes së veprimtarive të ndryshme me karakter kulturor, edukativ, sportiv etj., të cilat zhvillohen nga këto qendra. Në këtë vijimësi, ditën e shtunë më dt. 31.05.2014 u zhvillua "Panairi i Produkteve BIO, Gërmenj 2014" në fshatin piktoresk dhe të njohur për traditën e tij mikpritëse dhe banorët punëtorë.

Ky event tregoi suksesin e përbashkët të një pune disa javore ndërmjet Qendrës Kulturore Islame pranë Xhamisë së Gërmenjit, banorëve të Fshatit dhe Komunës Lekaj, që e realizuan aktivitetin me mbështetjen e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC) dhe Shoqatës Kulturore "Gruaja".

Panairi u çel me këndimin e disa vargjeve nga Kurani i Madhërishëm nga studenti Ismail Shehi, banor i këtij fshati. Më pas, fjalën e përshëndetjes e mori kryetari i Komunës Lekaj, z. Abedin Gjini, i cili gëzueshëm i ftoi banorët të tregonin vlerat dhe traditat e tyre. Gjithashtu z. Gjini falënderoi drejtuesin e Qendrës Kulturore Islame dhe njëherësh imamin e Xhamisë Gërmenjas, z. Eduart Thartori, për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet dy institucioneve.

Pas tij, fjalën e mori përfaqësuesi i AIITC, Kryetari i Bordit Drejtues Dr. Faruk Borova, i cili shprehu entuziazmin e tij për natyrën dhe njerëzit punëtorë të këtij fshati që me mundin e tyre e kishin bleruar tokën e tyre. Ai falënderoi institucionet pjesëmarrëse në këtë panair dhe uroi që të tilla evente të përsëriten edhe në zona të tjera.

Panairin e përshëndetën edhe z. Hajri Tafa, Kryetari i Komunës Luz i Vogël, dhe znj. Ledia Hasanaj, përfaqësuese e SHKG, e cila e cila prezantoi ndihmesën e organizatës së saj për familjet e varfra në këtë fshat. Organizatori i këtij aktiviteti, z. Thartori prezantoi shkurtimisht qëllimet humanitare të panairit dhe shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë ata njerëz dhe institucione që kontribuuan për realizimin e tij. Në fund shtoi se ky Panair tashmë i ka hapur rrugë një tradite shumë të bukur që do të vazhdojë çdo vit në këtë vend.

Panairi prezantoi prodhime bujqësore të stinës së Pranverës, si: mana, qershi e shumë perime. Por nuk munguan edhe mjalti, vaji i ullirit dhe shumë prodhime të konservuara, marinatave, kompostove dhe reçelrave. E veçanta e këtij panairi ishin fëmijët e Kursit të Kulturës dhe Edukatës Islame në Xhaminë e Gërmenjit, të cilët kishin përgatitur lloje të larmishme gatimesh nga shtëpitë e tyre.

Të veshura me kostumet popullore të zonës, vajzat dhe djemtë arritën t'u ofronin të ftuarve produktet e tyre të gatuara, si edhe punime dore artizanale krahas gatimeve tradicionale që i kishin përgatitur. Të gjithë të ardhurat e fituara nga shitja e këtyre produkteve, fëmijët vendosën të jepeshin ndihmë për familjet e varfra.

Në fund Panairi u mbyll me shpërndarjen e dy suvenirëve me foton e Xhamisë së Gërmenjit, për Komunën Lekaj dhe firmën Veizi Distribution e cila solli në këtë Panair produkte të gatshme ushqimore me çmime shumë të ulëta, enkas për Panairin e Pranverës, Gërmenj 2014.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2