wrapper

Këto ditë viziton vendin tonë një delegacion zyrtar nga Drejtoria e Çështjeve Islame dhe të Bamirësisë në qeverinë e Dubait, EBA. Me qëllimin për të zbuluar dhe për të parë nga afër mënyrën si zhvillohet kultura islame te shqiptarët, delegacioni i përbërë nga Omar Obaid Basala – Ligjërues i parë i Departamentit për Këshillim dhe Mohammed Al Kamali – Përgjegjës administrativ i departamentit të ligjeve (fetvave) kanë kryer një varg vizitash në qendra të ndryshme islame në Shqipëri.

Në vazhdim të agjendës së tyre 4-ditore, delegacioni zhvilloi ditën e hënë, dt. 16.12.2013 një vizitë në mjediset e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC). I njohur për bashkëpunimin e suksesshëm me institucionet kulturore brenda dhe jashtë vendit, AIITC tërhoqi interesin e miqve për t'u njohur nga pranë me të, si model i një qendre që synon të prezantojë vlerat e qytetërimit islam në kontekstin e modernitetit që përjeton sot shoqëria shqiptare.

Në pritje të delegacionit ishin anëtarë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të AIITC, si dhe stafi administrativ. Në fillim, delegacioni zhvilloi një vizitë në të gjitha ambientet e AIITC, ku pa nga pranë të sendërtuara një pjesë të atyre që kishin dëgjuar më parë për punën e Institutit. Interes të posaçëm miqtë u kushtuan botimeve të AIITC dhe sallës së Muzeut, ku u tërhoqën vëmendjen dorëshkrimet e vjetra që janë ekspozuar aty.

Pastaj me miqtë u zhvillua një bisedë miqësore në klasën e Gjuhëve të Huaja, ku Kryetari i Bordit Drejtues të AIITC, Dr. Faruk Borova u uroi mirëseardhjen dhe i prezantoi me të pranishmit në pritjen e tyre. Më pas, fjalën e mori Nëndrejtori i AIITC, Alban Kodra, i cili, përmes një prezantimi elektronik, u bëri mysafirëve një përmbledhje të veprimtarisë 18-vjeçare të AIITC.

Nga ana e tyre, anëtarët e delegacionit shprehën falënderimin e tyre për mikpritjen dhe admirimin për punën që zhvillon AIITC në shërbim të vlerave universale të kult urës dhe fesë islame. Miqtë shprehën dëshirën dhe gatishmërinë e tyre për të kontribuar në forcimin e mëtejshëm të urave lidhëse midis institucioneve homologe në të dy vendet, me qëllim që prej këtij bashkëpunimi të përfitojnë të gjithë. Në përfundim, miqtë i dhuruan AIITC një Kuran me letër speciale dhe një pllakat të shoqëruar me fletë falënderimi nga Institucioni që ata përfaqësojnë, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për mikpritjen e rezervuar.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2