wrapper

Ditën e martë më datë, 31. 03. 2015 vizitoi Institutin Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam (AIITC) albanologia dhe turkologia e njohur Prof. Asoc. Lindita Xhanari e shoqëruar nga pedagogu i katedrës së gjuhës turke pranë fakultetit të Gjuhëve të Huaja Dr. Adriatik Derjaj. Vizitorët u mirëpritën nga nëndrejtori i Institutit z. Alban Kodra.

Nëndrejtori i Institutit i uroi mirëseardhjen vizitorëve dhe u përcolli përshëndetjet e Drejtorit të AIITC, Dr. Ramiz Zekaj. Më pas z. Kodra bëri një rezyme të shkurtër të veprimtarive dhe aktiviteteve të AIITC ndër vite. Ai përqendrua veçanërisht në fushën e albanologjisë dhe të orientalistikës, me botimin e veprave të tilla si: Revista shkencore-kulturore "Univers", ku shkruajnë albanologë dhe akademikë të njohur shqiptarë dhe të huaj, Fjalori i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe, Fjalori Arabisht – Shqip etj. dhe me organizimin e një serie konferencash e simpoziumesh, si: simpoziumi ndërkombëtar "Terminologjia fetare në gjuhën shqipe", konferenca shkencore ndërkombëtare "Trashëgimia kulturore me alfabet arab në Ballkan" etj.

Në fjalën e saj profesoreshë Lindita i uroi AIITC-së për aktivitetet e larmishme që zhvillon dhe shprehu dëshirën e bashkëpunimit me të në fushën shkencore. Ajo prezantoi punën e saj 25-vjeçare si pedagoge pranë fakultetit Histori - Filologji në degën e turkologjisë dhe punën si pedagoge e gjuhës shqipe në Universitetin e Edirnesë – Turqi. Më pas, znj. Xhanari hodhi ide dhe propozime për projekte konkrete, të cilat i shihte me interes të ndërsjellë në fushën e albanologjisë dhe të orientalistikës.

Më pas takimi vijoi me një vizitë në mjediset e Institutit. Studiueses i tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçantë libroteka e AIITC, e pasur me literaturë të gjuhëve lindore. Ajo qëndroi atje duke shfletuar materiale të ndryshme me interes për studimet e saj. Në përfundim, znj. Xhanari vizitoi sallën e muzeut ku janë ekspozuar dorëshkrime të vjetra mjaft tërheqëse dhe mori si dhuratë numrin 15 të revistës "Univers" dhe botimin e punimeve të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare "Trashëgimia kulturore me alfabet arab në Ballkan".

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2