wrapper

Ditën e sotme, dt. 21.09.2015, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) priti për vizitë një delegacion me në krye Drejtorin e Përgjithshëm të Arkivit Kombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Dr. Abdullah Al-Rayes, të shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Arkivit Qendror të Shqipërisë z. Gjet Ndoj.

Në delegacion bënin pjesë, gjithashtu: Abdulaziz Al-Rais – këshilltar në Arkivin e EBA-s, Farhan Al-Marzouqi – Drejtor i Drejtorisë së Marrëdhënieve Ndërinstitucionale në EBA.
Në pritjen e këtij delegacioni ishin të pranishëm: Kryetari i Bordit Drejtues të AIITC-së, Dr. Faruk Borova, nëndrejtori z. Alban Kodra, anëtarët e Bordit Drejtues dhe të redaksisë së revistës Univers. Të pranishëm ishin, gjithashtu, ish-ambasadori i Shqipërisë në EBA, z. Behar Bejko, bashkëpunëtorë të tjerë të Institutit përfaqësues të Shoqatës Kulturore, si dhe i gjithë stafi AIITC-së.
Dr. Borova i shprehu Dr. El-Rayes mirënjohjen e tij për vizitën në AIITC dhe i përcolli falënderimet e drejtorit të AIITC, Dr. Ramiz Zekaj. Sipas tij, kjo vizitë ishte një nder dhe një vlerësim i veçantë për Institutin dhe për punën e tij shumëvjeçare.
Nëndrejtori i AIITC-së, z. Alban Kodra, pasi e njohu mikun e nderuar me të pranishmit në takim, bëri një rezyme të aktiviteteve të AIITC-së dhe një prezantim të shpejtë të botimeve të këtij instituti.
Dr. Abdullah Al-Rayes shprehu gëzimin e tij që vinte për herë të parë në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë në AIITC, duke falënderuar Institutin për mikpritjen. Qëllimi i vizitës – tha ai – është, së pari, njohja me realitetin shqiptar, për sa u përket nevojave dhe problematikës së institucionit të arkivave në Shqipëri, për të gjetur në të ardhmen format e bashkëpunimit mes dy vendeve në këtë drejtim. Gjithashtu, Dr. Al-Rayes shpjegoi se ishte i interesuar të dinte më tepër rreth projekteve të reja dhe veprimtarisë shkencore të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, por edhe të institucioneve të tjera, pasi – siç u shpreh z. Al-Rayes – Shqipëria është në vëmendjen e vazhdueshme të udhëheqjes së Emirateve të Bashkuara Arabe. Ai siguroi bashkëbiseduesit se kjo nuk do të ishte vizita e tij e fundit në Shqipëri.

Edhe Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave në Shqipëri, z. Gjet Ndoji, shprehu konsideratën e tij për punën e Institutit dhe, në mënyrë të veçantë, për bashkëpunëtorët shkencorë të AIITC-së, të cilët ai pati rastin t’i takonte personalisht në këtë vizitë. Ky takim – tha z. Ndoji – duhet t’i hapë rrugën bashkëpunimit të mëtejshëm mes dy institucioneve. Ai, gjithashtu, falënderoi AIITC-në për dhuratën e bërë.

Në takim foli shkurtimisht edhe ambasadori i Shqipërisë në EBA, z. Behar Bejko, i cili bëri një prezantim të ndihmës së shumanshme dhe bujare që Emiratet i kanë dhënë Shqipërisë.

Në fund të vizitës, Dr. Abdullah Al Rajes i dhuroi Librotekës AIITC disa tituj librash, si: ‘’Qasr Al Hosn - The History of the rulers of Abu Dhabi 1793-1966’’, “Khalifa - Journey into the Future’’, “Zayed - man who build a nation”.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2