wrapper

11 tetor 2017

Publicisti nga Gjilani, Islam Osmani, vizitoi ambientet e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, ku u mirëprit nga Drejtori Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj dhe Kryetari i Bordit Dr. Faruk Borova. Gjatë një bisede miqësore me ta, zoti Osmani u njoh më nga afër me veprimtarinë e AIITC, veçanërisht me konkursin e përvitshëm “Çmimi AIITC” në fushën a shkencës, artit dhe kulturës islame.

I njohur si gazetar në Radio Gjilanin në vitet ’70 – ’80, z. Osmani solli me vete disa nga botimet e tij në fushën e publicistikës. Duke vlerësuar punët dhe arritjet e AIITC gjatë këtyre viteve, ai i dhuroi për Librotekën e Institutit këto botime, të cilat janë si më poshtë:

- “Rrugëtimi i kënaqësisë shpirtërore”
Në këtë libër autori përshkruan vendet e shenjta, që çdo besimtar mysliman i viziton gjatë kryerjes së vizitës së Haxhit. Libri është ilustruar edhe me foto, ku autori përcjell informacione të bollshme për çdo lexues.

- “Doajenët e gazetarisë gjilanase”
Këtu autori përpiqet që përmes fakteve dhe përvojave individuale të “personazheve” të kësaj vepre, ta pasqyrojë në mënyrë sa më bindëse klimën shoqërore, politike, sociale, kombëtare në njërën nga shtatë qendrat më të mëdha komunale të Kosovës, siç ishte Gjilani i atyre viteve.

- “Monografi e Hafëzëve të Anamoravës”
Ky libër paraqet një monografi të 20 hafëzëve në regjionin e Anamoravës. Ai shpalos të dhëna të shumta që ndërlidhen me jetën, biografinë dhe kontributin tyre në kryerjen e kurseve fetare.

- “Imamët e Gjilanit 1912-2015 - Monografi”
Nëpërmjet këtij libri autori ka sjellë jetëshkrimin e 187 imamëve të Gjilanit përgjatë viteve 1912-2015, duke përshkruar veprimtarinë e tyre fetare dhe kombëtare në rajonin e Gjilanit.

Siç vërehet edhe nga përshkrimi, librat janë kryesisht punime mbi figura të gazetarisë dhe të fesë në zonën e Gjilanit dhe japin informacione të bollshme mbi veprimtarinë fetare e publicistike të kësaj zone ndër vite. Me falënderimin ndaj autorit për dhuratën e vyer, Libroteka e AIITC i vë këto libra në dispozicion të lexuesve dhe studiuesve të interesuar.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2