wrapper

Tiranë, 25 tetor 2017

Vendosja e urave të bashkëpunimit me institucionet shqiptare dhe ato të huaja përbën një prej fushave të veprimtarisë së Instituti Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi të frytshëm janë realizuar ndër vite dhjetëra projekte të rëndësishme kulturore e shkencore, siç janë, organizimi i disa edicioneve të Çmimit AIITC në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, zhvillimi i simpoziumit shkencor “Terminologjia shqiptare në gjuhën shqipe” në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, botimi dhe promovimi i Fjalorit të Orientalizmave në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë etj. Në këtë kuadër, një përfaqësi e AIITC zhvilloi gjatë muajit tetor 2017 takime pune me drejtuesit e Komitetit Shtetëror për Kultet dhe Akademinë Studimore Albanologjike.

Në takimin e me drejtuesen e Komitetit Shtetëror për Kultet, zonjën Loreta Aliko, u prezantuan shkurtimisht puna dhe përpjekjet e AIITC për kultivimin e vlerave më të mira të kulturës islame ndër shqiptarët. Drejtori i AIITC, prof. dr. Ramiz Zekaj theksoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit mes dy institucioneve, gjë që u konfirmua edhe nga zonja Aliko. Nga ana e saj, ajo e siguroi për thellimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen në realizimin e projekteve të AIITC.

Ndërsa në takimin e zhvilluar në mjediset e Akademisë Studimore Albanologjike, delegacioni i AIITC u prit nga drejtori i ASA, akademiku i shquar prof. dr. Marenglen Verli. ASA konsiderohet si një ndër institucionet shkencore më të rëndësishme të botës shqiptare, që kryen kërkime në fushat e historisë, arkeologjisë, gjuhësisë, letërsisë shqipe etj.

Gjatë takimit, Drejtori i AIITC vlerësoi punën e zhvilluar nga kjo akademi për realizimin e projekteve të rëndësishme në fushën e albanologjisë. Më pas ai paraqiti në mënyrë të përmbledhur objektivat dhe veprimtarinë e larmishme shkencore, kulturore dhe botuese që ka zhvilluar AIITC ndër vite. Nga ana e tij, prof. Verli e falënderoi Institutin për angazhimin e tij shumëvjeçar dhe shprehu optimizmin e tij për realizimin e disa projekteve të përbashkëta në të ardhmen.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2