wrapper

14.03.2018

I ngarkuari me punë pranë ambasadës së Republikës së Kosovës në Tiranë, z. Sylë Ukshini, zhvilloi një vizitë miqësore në ambientet e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, ku u prit nga drejtori i këtij instituti, prof. as. dr. Ramiz Zekaj. Fillimisht ai u njoh me aktivitetin dinamik të AIITC prej më shumë se 20 vitesh, duke dhënë kontributin e tij në shumë fusha të kulturës shqiptare dhe botërore.

Drejtori i AIITC e uroi z. Ukshini për punën e mirë dhe të kualifikuar që trupi diplomatik nga Kosova ka bërë, që nga hapja e ambasadës së Kosovës e deri tani. Ai gjithashtu e falënderoi të ngarkuarin me punë të Republikës së Kosovës për mbështetjen, duke theksuar se prezenca e përfaqësuesve të Ambasadës së Kosovës në aktivitetet shkencore dhe kulturore që realizon AIITC, ka pasur një impakt mjaft pozitiv dhe vlerësues për këto nisma që në vazhdimësi sjellin risi për artin, shkencën dhe trashëgiminë e përbashkët të shqiptarëve, kudo që janë.

Nga ana e tij z. Ukshini vlerësoi botimet cilësore që ka realizuar AIITC në periudha të ndryshme, duke veçuar botimet e autorëve si Islam Lauka apo Shaban Murati që, sipas tij, ishin një kontribut shumë i rëndësishëm për çështjen e Kosovës dhe njohjen e saj në botë. Por, në të njëjtën kohë, ai theksoi edhe rëndësinë e botimeve në fushën historike, gjuhësore etj., që vazhdojnë të ndikojnë në përmirësimin e përafrimit të vizionit kombëtar të përbashkët.

Në takimin dypalësh u diskutua edhe mbi shfrytëzimin e mundësive për një bashkëpunim më të mirë mes institucioneve kulturore të Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe të trojeve të tjera ku jetojnë shqiptarët, në Ballkan dhe në botë. z. Ukshini premtoi se do të vazhdojë të mbështesë aktivitetet e AIITC, duke e promovuar punën e tij edhe mes shqiptarëve të Kosovës e më gjerë.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2