wrapper

Tiranë, 07.03.2018

Edukimi dhe formimi intelektual i të rinjve të Ballkanit e më gjerë, në kuadër të shtimit të njohurive të tyre mbi traditën islame, është një ndër objektivat madhorë të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam. Pikërisht këtij qëllimi i shërbeu edhe vizita e drejtorit ekzekutiv të fondacionit turk “Maarif”, Yunus Torpil, në ambientet e AIITC, ku u prit nga stafi i këtij instituti, i kryesuar nga drejtori prof. as. dr. Ramiz Zekaj.

Fillimisht nëndrejtori i AIITC Alban Kodra bëri një prezantim të shkurtër të aktivitetit shumëdimensional dhe objektivave të AIITC dhe partnerëve të saj, duke vënë theksin në bashkëpunimin reciprok që ky institut ka edhe me Kosovën, Malin e zi, Maqedoninë e më gjerë.

Ndërsa drejtori Zekaj e njohu zotin Torpil me disa nga botimet kryesore të AIITC, të përkthyera edhe në shumë gjuhë të botës. Ai e informoi edhe mbi përkrahjen që ky institut u jep studentëve, duke i mbështetur ata me bursa dhe aktivitete të shumëllojshme. Por shprehu keqardhjen që ende sot në Shqipëri nuk kemi institucione të arsimit të lartë islam dhe nxënësit mbeten deri në formimin klasik që ofrojnë medresetë. Dr. Zekaj shprehu gatishmërinë që të mbështesë projektet që fondacioni “Maarif” do të realizojë në Shqipëri në një të ardhme të afërt.

Ndërsa drejtori i fondacionit “Maarif”, Yunus Torpil, pasi falënderoi stafin e AIITC për pritjen e ngrohtë, theksoi se fillimet kanë qenë mjaft të vështira, sepse gjithçka është filluar nga zero dhe mbledhja e fondeve ishte sfidë më vete, por sot ky fondacion ka arritur të mbështesë mbi 20 mijë nxënës dhe studentë nga gjithë vendet e Ballkanit. Zoti Torpil renditi disa ndër synimet e këtij fondacioni në të ardhmen, mes të cilave edhe hapja e një shkolle në Shqipëri. Gjithashtu ai premtoi se shumë shpejt do të bëhet i mundur akomodimi i studentëve shqiptarë në Turqi, për të ndjekur studimet në degë të ndryshme të universitetit.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2