wrapper

Pas përcjelljes për në banesën e fundit të dijetarit Mahmud Abdulkadir Arnaut, i cili u nda nga jeta pak ditë më parë, Fakulteti i Studimeve Islame në Prishtinë organizoi në mjediset e tij pritje ngushëllimi 3-ditore në nderim të figurës së tij.
Gjatë këtyre ditëve, qytetarë dhe besimtarë të shumtë nga Kosova dhe më gjerë u shprehën familjarëve të të ndjerit dhe Dekanit të FSI Prishtinë, prof. dr. Fahrush Rexhepit ngushëllimet e tyre për këtë humbje të pazëvendësueshme për ata.
Në këtë pritje mori pjesë edhe një delegacion i AIITC i kryesuar nga Drejtori Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj, Kryetari i Bordit Dr. Faruk Borova, anëtari i Bordit z. Alush Saraçi, bashkëpunëtori z. Ali Hoxha dhe nëndrejtori z. Alban Kodra.

Ata u përcollën familjarëve dhimbjen dhe ndjenjat e afërta për largimin e papritur nga kjo jetë të dijetarit të nderuar. Në fjalët e tyre vlerësuan lart figurën e Mahmud Arnautit, si njëri prej të rrallëve ekspertë të traditës diturore islame në botë, njeri i përkushtuar pas punës që nuk njihte pushim, por të gjitha energjitë e veta i vinte në shërbim të dijes e fesë dhe të ripërtëritjes së tyre në mesin e shqiptarëve.

Drejtori i AIITC kujtoi në mënyrë të veçantë marrëdhëniet e ngushta miqësore e bashkëpunuese me dijetarin Mahmud Arnauti dhe kujdesin e të ndjerit për t’u transmetuar bijve të vet ekspertizën, pasionin dhe dashurinë për punën që bënte. Ai shprehu bindjen e tij se këta djem do të vazhdojnë gjurmëve të etërve të tyre – gjyshit Abdulkadir Arnauti dhe babait Mahmud Arnauti – dhe do ta pasurojnë më tej thesarin e çmuar dituror që kjo familje u ka lënë jo vetëm shqiptarëve, por muslimanëve të të gjithë botës.

Nga ana e tyre, Dekani i FSI Prishtinë dhe bijtë e të ndjerit shprehën falënderimet e tyre për të gjithë ata që iu gjendën pranë në këto çaste të vështira. Njëherësh theksuan se do të vazhdojnë misionin fisnik të të ndjerit dhe do të shpien përpara angazhimet që ai ka pasur në lëmin e dijes dhe kulturës.

Rreth nesh

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) është themeluar në vitin 1996, me vendim të Gjykatës së Tiranës nr. 143, datë 04. 03. 1996. Veprimtaria e këtij Instituti është e shumëfishtë dhe e larmishme në fusha të ndryshme si: shkencore, kulturore, studimore, botuese, informuese dhe dokumentuese. 

Lexo për më tepër

Lidhjet

radio

tv kontakt 2