Autori: Yzedin Hima
Botues: AIITC
Viti i botimit: 2008
Numri i faqeve: 200
Vexhi Buharaja ishte poet, dijetar e shqipërues, orientalist i përmasave botërore, që studioi volume të tërë regjistrash në osmanisht dhe mbishkrime turko-arabe, të cilat mbartnin një pasuri të madhe për historiografinë shqiptare. Ndër të tjera është edhe përkthyes i poezive të Saaidut, aq të dashura për popullin, saqë të gjithë mendonin se ishin shkruar prej tij. Nisi të përkthente edhe poetë të tjerë nga arabishtja, turqishtja e persishtja, me qëllim hartimin e një antologjie, por që nuk u realizua kurrë.
Qëndronte në shtëpinë e tij me orë të tëra mbi libra me një alfabet ekzotik, lexonte e shkruante deri në mbrëmje, ndërsa gjatë ditës strukej i vetmuar në berberhanen ku punonte si faturist. Poezitë e tij botoheshin me pseudonime në disa gazeta e revista periodike të kohës. Krahasuar me dorëshkrimet e tij të shumta, Vexhi Buharaja e ndjeu kënaqësinë e krijuesit në shumë pak botime, si poezitë antologjikë “Poeti” dhe “përpara Tomorrit”. Por një dimër i acartë e vyshku ende pa shpërthyer mirë, u godit nga rrebeshet dhe dallgët e kohës kur jetoi, duke u dergjur qelive të burgut. Kjo figurë komplekse është e mbuluar nga një tis mjegulle, ku shumë të vërteta mbi jetën dhe veprën e tij janë ende sot misterioze.
Mjegulla e parë ishte fakti se ai shkëlqeu në poezi gjatë viteve të luftës, kur bashkëmoshatarët e tij mbanin armë në dorë, ndërsa ai mbante penën e librat.
Mjegulla e dytë ishte diferenca e formimit intelektual të tij, në krahasim me mjedisin që e rrethonte. Poezitë që përkthente, i recitonte për banorët e Beratit me një gjuhë shumë të thjeshtë, por të bukur, që ata të arrinin t′i kuptonin.
Mjegulla e tretë është e kaluara e tij misterioze. Ende sot nuk dihet se përse u burgos, edhe pse nuk merrej as me politikë e as me tregti. Një mal me libra të tij u konfiskuan dhe u dogjën.
Mjegulla e katërt është libri i munguar poetik, antologjia me poezi që nuk u botua kurrë.
Mjegulla e pestë ishin vizitat e njerëzve të shquar në shtëpinë e tij modeste. Profesorë, studiues, botues, akademikë, mes të cilëve edhe Aleks Buda. Si ka mundësi që një njeri i padëshiruar të vizitohej nga njerëz me pushtet?
Mjegulla e gjashtë është mbiemri Buaharaja, një qytet mijëra kilometra larg Beratit. Disa mendonin se ai i përkiste një familjeje me origjinë perse të shpërngulur në Berat.
Mjegulla e shtatë mbulon ndjenjat e pastra, sublime e intime të poetit 19-vjeçar që shpërthejnë në poezitë tij lirike. Mendohej se ishte i dashuruar me një vajzë tiranase. Vallë asaj i kushtoheshin poezitë e tij?
Mjegulla e tetë ishte një aureolë mistike që e rrethonte poetin i cili besonte te Zoti, madje kishte kryer edhe një shkollë fetare.
Këto mistere e mjegullime tenton të zbulojë autori Yzedin Hima në këtë monografi të jetës dhe veprës së Vexhi Buharasë, mjeshtrit të fjalës, i cili nuk e ka zënë ende vendin që i takon në panteonin e letërsisë shqipe.