Autori: Gani Lila
Botues: AIITC
Viti i botimit: 2008
Numri i faqeve: 151
Nisma e autorit Gani Lila për të shprehur ndjenjat e tij të sinqerta prej besimtari përmes vargjeve të rimuara në përmbledhjen me titull “Jam musliman”, është një nga përpjekjet e rralla për ta futur sërish frymën e besimit në artin e sotëm me tipare materialiste.
Teksa lexon vargjet e këtij vëllimi, e kupton se nuk bëhet fjalë për penën e një poeti të sprovuar, por aty ndien sinqeritetin që buron nga shpirti i pastër e i thjeshtë i besimtarit. Në dyvargëshat (mesnevit) që mbizotërojnë në pjesën më të madhe të librit, autori përcjell këndvështrimin e tij për njerëzit, botën, miqësinë, vëllazërinë etj, jep këshilla që e ndihmojnë njeriun për t’u bërë më i mirë, më i mbarë, më njerëzor.
Për të promovuar pikërisht këto vlera shpirtërore të harruara nga letërsia e kohëve të sotme, lexuesit shqiptar i ofrohet kjo përmbledhje poetike, së cilës së shpejti do t’i bashkëngjitet edhe vëllimi tjetër me titullin “Bismilah” i të njëjtit autor.