Me pjesëmarrjen e shumë përfaqësuesve dhe organeve të larta të shtetit shqiptar, të Akademisë së Shkencave, të instituteve kërkimore-shkencore, universiteteve, përfaqësuesve të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, studiuesve, shkencëtarëve, shkrimtarëve, poetëve, artistëve dhe intelektualë të shumtë, në Hotel Rogner (salla Apollonia), Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam shpalli ditën e shtunë, evenimentin e tij të vitit, dhënien e çmimit AIITC 2009.
Çmimi jepej për tri kategoritë konkurruese, me synim nxitjen e veprimtarisë krijuese shqiptare në fushën e kulturës, artit dhe shkencës. Kategoritë në të cilat konkurrohej ishin: Për librin më të mirë të vitit në fushën e kulturës dhe shkencës islame; peizazhin më të bukur në penelat e piktorëve shqiptarë; krijimtaria më e arrirë nga moshat e reja në prozë e poezi me tematikë: “E bukura në shpirt dhe në jetë”.
Gjatë këtyre katër viteve u vunë në garë duke shpalosur prirjet dhe erudicionin mbi 100 autorë të ndryshëm, nga të gjitha trevat shqiptare. Këtë vit për çmimin AIITC konkurruan mbi 30 autorë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Ata u prezantuan me vepra të ndryshme shkencore, kulturore si dhe në art, duke u munduar të shpërfaqin para publikut vepra të një niveli të arrirë, çka bëri që Çmimi AIITC për vitin 2009 të ngrihet në një nivel të lart.
Prurjet e vitit 2009 dëshmojnë më së miri për impaktet stimuluese të këtij çmimi në masën e forcave krijuese shqiptare. U zgjerua edhe më shumë numri i konkurrentëve por edhe cilësisht veprat u ngritën në nivele më të larta. Juritë përkatëse, kompetente për vlerësimin e veprave konkurruese kanë shqyrtuar me objektivitet të gjitha punimet pretenduese për marrjen e Çmimit AIITC 2009 dhe shpallën fituesit duke i ndarë atyre medaljet dhe çertifikatat.
Juritë përkatëse vendosën si më poshtë:
1- Për librin më të mirë të vitit në fushën e kulturës shkencës dhe artit islam u vlerësuan:
Sulejman Tomçini
Edvin Cami
Avni Tafili (Kosova)
2- Për peizazhin më të mirë nga penelat e piktorëve shqiptarë u vlerësua Orion Shima.
3- Për krijimtarinë më të arrirë nga moshat e reja në prozë, me tematikë “E bukura në shpirt dhe në jetë” u vlerësuan:
Ivana Dervishi
Dorina Behari
Artur Deda
Fatime Zenelhasani
Stela Keta