Autori: Grup autorësh
Botues: AIITC
Viti: 2011
Çdo vend, çdo popull dhe kultura që ai përfaqëson ka në trashëgiminë e tij kombëtare jo vetëm vlerat fondamentale të kulturës së tij, por edhe gjurmët e historisë, traditave dhe kulturave të tjera që kanë bashkëjetuar dhe plazmuar në vetëdijen dhe qytetërimin të cilit i përkasin.
Ballkani është një trevë e pasur me thesare të kulturës.Vlerat e alfabetit arab në trashëgiminë kulturore të rajonit të Ballkanit, janë të shumta. Është me rëndësi të hidhet dritë rreth rolit të alfabetit arab në rajonin ballkanik. Ky alfabet për shekuj me radhë u erdhi në ndihmë popujve të Ballkanit për të shkruar historinë, shkencën, artin dhe kulturën e tyre. Me këtë alfabet popujt e Ballkanit për disa shekuj qëndisën qilimin e tyre kulturor në harmoni e kombinim koloritesh autoktone.
Ne çdo fushë, kohë e vend shkencëtarët janë vlerat e një kombi, boja e të cilëve në kartë të bardhë vlen me shumë se gjaku i dëshmorëve i derdhur në fushën e betejës. Zëri dhe boja e shkencëtarëve shkon shumë larg.
Personalitete të këtij niveli të lartë intelektual nga i gjithë Ballkani sollën tema me interes, e në nivele të kënaqshme shkencore , ndër të cilat përmendim: “Trashëgimia kulturore islame me shkrim arab në Europë”, “Vështrim mbi bibliotekat e periudhës osmane në trojet shqiptare në dritën e dorëshkrimeve me alfabet arab”, “Tekstet dhe mësimi i gjuhës arabe në Sanxhak”, “Një vështrim mbi trashëgiminë kulturore me alfabet arab në Shqipëri”, “Karakteristikat kryesore të zhanreve të letërsisë boshnjake shkruar me alfabet arab”, etj.
Nëpërmjet këtyre kumtesave hidhet dritë mbi këtë pasuri të madhe kulturore me alfabet arab që ndodhen në arkivat e Ballkanit dhe që presin të studiohen dhe të dalin në dritë vlerat e tyre kolosale. Punimet e kësaj konference zbuluan e prezantuan një pjesëz të kësaj trashëgimie kulturore të Ballkanit. Ajo mund të konsiderohet pjesa e dukshme, vetëm maja e ajsbergut, e cila na ndihmon të përfytyrojmë pjesën nënujore të këtij ajsbergu, e cila për t’u njohur kërkon zhytës të sprovuar. Kjo konferencë dëshmoi se, Ballkani është një trevë e pasur me thesare të kulturës.
Njëherazi dëshmoi se, në Ballkan ekzistojnë potenciale shkencore të kualifikuara e të afta për të marrë përsipër e për të realizuar studime me vlera kolosale dhe të dobishme e që shërbejnë si ura miqësie e bashkëpunimi midis popujve të rajonit.
Zëri i kësaj konference iu përcoll një auditori të nderuar, pjesëmarrës në këtë veprimtari, por AIITC do të përpiqet që ky zë të shkojë shumë larg dhe tek ata që nuk patën mundësinë për pjesëmarrje në këtë eveniment.