tirane, 05.08.2013
Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam organizoi ceremoninë e Çmimit AIITC – Edicion Special, për të vlerësuar përkthimin e Kuranit në gjuhën shqipe dhe autorin e tij, teologun Hasan ef. Nahi. Çmimi AIITC, i cili zhvillohet për të shtatin vit radhazi, u kurorëzua me ceremoninë e shpalljes së fituesit të tij, ditën e hënë, datë 05 Gusht 2013 në mjediset e Hotel Sheraton në Tiranë, për të vlerësuar kontribuesin më të shquar në fushën e literaturës, shkencës dhe kulturës islame ndër vite.
Të pranishëm në këtë eveniment ishin: Kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të shoqatave dhe organizatave të ndryshme, politikanë, gazetarë, artistë, si dhe miq dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam. Ceremonia u hap me fjalën përshëndetëse të Drejtorit të AIITC, Dr. Ramiz Zekaj, i cili pasi paraqiti një ekspoze të shkurtër mbi historikun e Çmimit AIITC ndër vite, shpjegoi dhe arsyet se pse këtë vit ky konkurs dijesh vjen si një edicion special.
Ndër të tjera, Dr. Zekaj tha: “Këtë vit, Çmimi AIITC vjen me një edicion special, për të vlerësuar një vepër e cila i kalon kufijtë e kohës dhe nuk mund të kufizohet në një vit të caktuar. Bëhet fjalë për përkthimin e Kuranit të Madhërishëm në gjuhën shqipe”. Më pas ai shpalli dhe fituesin e këtij ediconi special të Çmimit AIITC, Hasan ef. Nahin, duke i akorduar titullin “Mjeshtër i Madh i Përkthimit të Kuranit në Gjuhën Shqipe”, me motivacionin: “Kontribut i shquar në fushën e literaturës, shkencës dhe kulturës islame”. Pastaj shtoi se Çmimi AIITC iu akordua Hasan ef. Nahit, sepse ai ishte dhe mbetet jo vetëm njëri ndër përkthyesit më të mirë të kuptimeve të Kuranit në gjuhën shqipe, por edhe një nga pedagogët, hoxhallarët dhe intelektualët më të shquar në fushën e shkencës dhe kulturës islame gjatë shekullit të kaluar.
I pranishëm për të tërhequr këtë çmim ishte i biri i Hasan ef. Nahit, Faik Nahi. Çmimin dhe medaljen e dorëzoi Kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça, i cili përshëndeti për organizimin e këtij eventi unik në vendin tonë.
Programi i ceremonisë vijoi me shfaqjen e një dokumentari të përgatitur nga AIITC, rreth Kuranit Famëlartë. Mes të tjerash, dokumentari prezantoi fakte rreth historikut të përkthimeve të Kuranit në gjuhën shqipe, duke theksuar se përpjekjet e para në këtë drejtim janë bërë që në shek. XVII, e më pas kanë vijuar në periudhën e Rilindjes nga autorë të tillë si Naim Frashëri, Ilo Mitkë Qafëzezi etj., të cilët kanë bërë përkthime të pjesshme. Ndërsa përkthimet e plota të Kuranit janë realizuar vetëm në vitet ’80 të shekulli XX, në Kosovë.
Aktiviteti u mbyll me shtrimin e një darke iftari, siç e kërkon tradita e muajit të Ramazanit dhe të pranishmëve iu dhurua versioni më i fundit të publikimit të Kuranit në formë libri dhe DVD-je.