Tirane, 30.10.2014
Ndryshe nga herët e tjera, edicioni i tetë i Çmimit AIITC në fushën e shkencës, kulturës dhe të artit islam zgjodhi një format të ri prezantimi. Secila nga kategoritë e këtij Çmimi: ajo e librit, e pikturës dhe e krijimtarisë së moshave të reja, tashmë do të zhvillohet në ceremoni të veçantë.
Në këtë kuadër, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC) në bashkëpunim me Jurinë e Çmimit për “Pejzazhin më të bukur në penelat e piktorëve shqiptarë” organizoi më dt. 30.10.2014 një ekspozitë me pikturat konkurruese në sallën e ekspozitave të AIITC. Vit pas viti e kanë kuruar këtë kategori çmimi disa nga personalitetet e artit pamor në Shqipëri, si: Ali Oseku, Rubenc Shima, Ylli Drishti etj. Mes piktorëve të shquar që kanë marrë pjesë me punimet e tyre në këtë kategori dhe që kanë fituar çmim kanë qenë Ardian Isufi, Kastriot Dervishi, Idlir Koka, Orjon Shima, Skënder Kamberi dhe Vullnet Alushaj.
Për vitin 2014, Çmimi AIITC për pejzazhin më të bukur është organizuar nën kujdesin e jurisë së përbërë nga artistët e mirënjohur të artit figurativ: Buron Kaceli – kryetar dhe Sefedin Stafa e Sadik Kasa – anëtarë. Në edicionin e këtij viti konkurruan 24 piktura, nga emra të mirënjohur në fushën e arteve figurative në Shqipëri, si: Vilson Kilica, Qamil Prizreni, Llazar Myzeqari etj. Ekspozita me punimet e tyre çeli dyert e saj me një ceremoni përuruese dhe do të qëndrojë e hapur për publikun për një javë radhazi. Në të morën pjesë artistë, intelektualë, akademikë dhe artëdashës të ndryshëm.
Në fjalën e hapjes, Dr. Ramiz Zekaj, Drejtor i AIITC, bëri një historik të shkurtër të çmimit. Ndër të tjera ai theksoi synimin e AIITC për të dhënë kontribut të mëtejshëm në këtë fushë të kulturës shqiptare, duke studiuar idenë që ky aktivitet të zhvillohet në shkallë mbarëkombëtare në edicionet e ardhshme, ku të marrin pjesë piktorë nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe nga diaspora.
Më pas fjalën e mori kryetari i jurisë së Çmimit, z. Buron Kaceli, i cili përshkroi punën e bërë për zhvillimin e këtij edicioni dhe vështirësitë e jurisë në përcaktimin e fituesit, duke qenë se punimet ishin të cilësisë së lartë dhe nga emra të dëgjuar të artit pamor. Megjithatë,- shtoi ai,- pas shqyrtimit të kujdesshëm të pikturave konkurruese, juria zgjodhi fitues z. Vilson Kilica, me pikturën e tij me një pejzazh nga Shqipëria e Mesme, i cili shpalos më së miri vlerat e pejzazhit shqiptar.
Çmimi i përbërë nga një çek me vlerë 1500 USD dhe një medalje nderi iu akordua vajzës së artistit të nderuar, i cili nuk mund të merrte pjesë personalisht për arsye të gjendjes shëndetësore. Ajo falënderoi Institutin për veprimtarinë e bukur dhe për vlerësimin, të cilin e konsideroi një ndihmë morale dhe materiale për piktorin e nderuar. Në përfundim, pjesëmarrësit u ftuan të vizitonin ekspozitën dhetë vazhdonin bisedat mes tyre nën shoqërinë e koktejit të shtruar me këtë rast.
Your content goes here. Edit or remove this text inline or in the module Content settings. You can also style every aspect of this content in the module Design settings and even apply custom CSS to this text in the module Advanced settings.