Shkëputur nga libri “Xhamitë e Shqipërisë – Historia, Arkitektura, shek. XV-XIX”
Autor: Prof. Dr. Aleksandër Meksi
Botues: AIITC
Ndërtimet e kultit mysliman, me shumëllojshmërinë e tyre, zënë vend të rëndësishëm në tërësinë e arkitekturës së Mesjetës së vonë. Xhamitë, sahatkullat, medresetë e ndërtuara në Shqipëri e në mbarë viset shqiptare janë produkt i mendjes krijuese të arkitektëve dhe të mjeshtërve shqiptarë, duke ruajtur edhe karakteristikat e objekteve të vendeve të origjinës. Shumë prej tyre ruajnë vlera të veçanta arkitekturale shqiptare dhe mbeten si monumente të zhvillimit historik të objekteve të kultit në viset shqiptare, të cilat tërheqin vëmendjen e vendasve dhe të huajve, vizitorë e turistë të profileve të ndryshme, nga të katër anët e botës. Në këtë libër përshkruhen 36 xhami, por ne po shkëpusim disa të dhëna interesante vetëm për pesë prej tyre, ndër më të rëndësishmet.
Xhamia e Iljaz Bej Mirahorit në Korçë
Xhamia më e vjetër e këtij tipi në vendin tonë, e ndërtuar në vitin 1872-1873 nga Iliaz Beu. Xhamia përbëhet nga salla e lutjeve, portiku tripjesësh dhe minarja. Ndërtesa ka një vëllim pak a shumë piramidal, që e afron me monumentet e arkitekturës bizantine. Për nga ndërtimi, përngjason me disa xhami në Stamboll, si xhamia e Firuz Agait, xhamia e Bali Pashait, xhamia e Iskander Pashait etj., me të cilat ka të përbashkët sallën me kupolë dhe portikun me kolona, i mbuluar me tri kupola të vogla. Një element i spikatur ka qenë minarja e ndërtuar me teknikën e kluasonazhit, që u rrënua gjatë tërmetit të vitit 1960. Kjo xhami është një vepër monumentale, një nga krijimet arkitekturore më të bukura. Thuhet se brenda saj ndodhet edhe varri i Iliaz Bej Mirahorit.
Xhamia e Plumbit në Shkodër
Është xhamia më e madhe në vend, e vetmja përfaqësuese e tipit klasik osman. E themeluar nga Mehmet Pashë Bushati, në vitin 1773-1774, ajo përbëhet nga salla e lutjeve me mihrabin, dy portikë në anën veriore e jugore dhe portiku oborr i mbyllur në anën perëndimore. Ngjasimet me xhamitë perandorake janë vetëm në tërësinë e ndërtimi planimetriko-vëllimor. Xhamia ka qenë e vendosur në lagjen që shtrihej nën kalanë e Rozafës, kështu që mund të soditet nga lart-poshtë. Kjo i ka kufizuar mjeshtrit ndërtues, që të nxjerrin në pah kupolën e madhe dhe të voglat, duke pasur parasysh baraspeshimin e vëllimit të mbulesës me kupola e qemerë.
Xhamia e Et′hem Beut në Tiranë
Ndodhet në qendër të qytetit, pranë Kullës së Sahatit, që së bashku përbëjnë një kompleks me mjaft vlerë. Filloi të ndërtohej në vitin 1793-1793 prej Molla Beut nga Petrela, dhe u përfundoi në vitin 1823 nga djali i tij, Haxhi Et′hem Beu. Molla Beu arriti të përfundonte kupolën sipas formës tradicionale, ndërsa i biri ndërtoi portikun, minaren dhe pikturat. Veçanti e kësaj xhamie është portiku që qarkon sallën e lutjeve, ndryshe nga xhamitë e tjera që zë gjithë ballin e ndërtesës dhe minaren. Minarja është e ndërtuar me gurë të gdhendur, ndodhet në të djathtë të sallës së lutjeve dhe është e zbukuruar me motive bimore të stilizuara në gurë mermeri.
Xhamia e Pazarit në Gjirokastër
Daton në vitin 1754-1755 dhe ngrihet në qendër të qytetit, në anën perëndimore të pazarit. Është një ndërtesë e tipit gjysmëkat dhe përbëhet nga salla e lutjeve, portiku dhe minarja. Machiel Kiel mendon se kjo është ndërtesa më e rëndësishme islame e Shqipërisë së Jugut, vepër e mjeshtërve lokalë, vijues të artit të shekullit XVI. Ballkoni i minares është realizuar nga gjashtë radhë gurësh dhëmbësharrë që ngrihen ndaj njëri-tjetrit, një arkitekturë mjaft interesante dhe e papërdorur më parë.
Xhamia e Kuqe në Berat
Aktualisht është e rrënuar, e pozicionuar pranë mureve të Akropolit dhe mureve rrethuese të kalasë së Beratit. Minarja me tulla të kuqe që i ka dhënë emrin kësaj xhamie, është e ruajtur deri në nivelin e fillimit të kazanit. Xhamia përbëhet nga salla e lutjeve dhe hajati. Duke qenë në terren të pjerrët, në pjesën e poshtme xhamia ka një bazament drejtkëndësh, të ndërtuar me teknikën e kluasonazhit. Datimi i xhamisë së Kuqe është i vështirë. Kiel mendon se ajo mund të jetë ndërtuar menjëherë pas pushtimit të qytetit, në vitin 1417, pasi edhe emri i saj i dytë është Fetije Xhami′ (xhamia e pushtimit).