Koncepti i moderacionit përbën esencën dhe shpirtin e fesë islame, është rruga e zbritur nga Zoti për njerëzimin. Ishte ky mesazhi që përcolli Dr. Adel Al-Falah në referatin me temë “Kontributi i Kuvajtit në përhapjen e vlerave të moderacionit – një mundësi për ndërveprimin kulturor mes feve dhe popujve”. Ky referat u mbajt në kuadër të takimit të shtatë të Akademisë së AIITC “Popuj dhe Kultura”, që Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam zhvilloi më dt. 19.05.2015 në mjediset e Hotel Sheraton, Tiranë.
Në takim ishin të pranishëm pjesëtarë të Trupit Diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të lartë të KMSH, drejtues të organizatave islame në vend, intelektualë dhe qytetarë të ndryshëm. Akademia u çel nga Dr. Ramiz Zekaj, drejtor i AIITC. Në fillim ai prezantoi Dr. Adel Al-Falah si Kryetar të Qendrës Botërore të Moderacionit në Kuvajt, njëherazi zv. Ministër i Vakëfeve dhe Çështjeve Islame. Pasi paraqiti në mënyrë të përmbledhur veprimtarinë e Dr. Al-Falah si një kontribuues i njohur edhe në Shqipërinë e viteve ’90, Dr. Zekaj vuri theksin mbi rëndësinë e përhapjes së vlerave të moderacionit në shoqëri të tilla si ato të Lindjes së Mesme, rajon ky që po përjeton një periudhë të vështirë krize me sfond politik, fetar dhe humanitar.
Më pas fjalën e mori dr. Al- Falah. Leksionin e tij e ndau në dy pjesë. Në pjesën e parë shpjegoi konceptin e moderacionit në këndvështrimin islam. Sipas tij, “moderacioni” si koncept ka shpjegime të shumta dhe të ndërlikuara, por në thelb ky nocion ngërthen në vetvete drejtësinë dhe mirësinë. Në raste të caktuara në koncept përfshihet edhe nocioni i ekuilibrit. Në mbështetje të kësaj qasjeje ai solli si argument vargun kuranor: “Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të moderuar (të drejtë), që të bëheni dëshmitarë mbi njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar mbi ju”; dhe fjalën profetike “Punët më të mira, janë ato të mesmet”. Ai shpjegoi se në fenë islame moderacioni kërkohet në çdo aspekt të jetës së besimtarit: në bindjet fetare, në adhurimet rituale dhe në sjelljen e tij. Prandaj zbatimi i moderacionit në shoqëri sjell vetëm drejtësi, dashuri, tolerancë edhe mirësi.
Në pjesën e dytë të leksionit dr. Al- Falah shpjegoi rrugën e ndjekur nga shteti i Kuvajtit për aplikimin e moderacionit në shoqërinë vendase ku, qeveria themeloi Komisionin e Rrugës së Moderacionit, për të ngritur një strategji parandaluese të fenomeneve ekstremiste. Komisioni i përbërë nga klerikë, sociologë dhe psikologë ndërmori një studim të gjendjes në terren dhe mbi bazën e tij ndërtoi një strategji me pesë pika që do të bënte të mundur rrënjosjen e konceptit të moderacionit në shoqëri. Strategjia konsistonte në:
Së pari, themelimin e “Qendrës Botërore të Moderacionit”, e cila zhvillon një veprimtari të larmishme studimore, kulturore dhe shoqërore në shërbim të mendimit të moderuar fetar.
Së dyti, edukimin me argumente të të rinjve që shfaqin sjellje ekstreme dhe jo përplasja e dhunshme me ta, sepse kështu arrihet një zgjidhje e përhershme dhe jo e përkohshme.
Së treti, krijimin e referencave shoqërore që përhapin konceptin e moderacionit te masat dhe këta referenca janë njerëzit e dijes me autoritet në fushat e tyre. Sipas lektorit, mungesa e referencave dhe e dijes në një shoqëri, çon në shfaqjen e padijes dhe të ekstremizmave.
Së katërti, trajnimin dhe kualifikimin e kuadrit fetar që merret drejtpërdrejt me mësimdhënien e fesë në shkolla ose me predikimin e saj në xhami.
Së pesti, përzgjedhjen e kapaciteteve me inteligjencë të lartë nga moshat e reja dhe arsimimin e duhur të tyre, për të qenë referencat e së ardhmes në shoqëri.
Më tej Dr. Al-Falah vijoi në shtjellimin e disa koncepteve islame që i quajti të domosdoshme për realizimin e moderacionit në qëndrimet dhe sjelljet e individit. Këto koncepte janë:
1- Mos imponimi i mendimit vetjak, veprim ky që Kurani e ka përshkruar si cilësi të tiranëve si Faraoni;
2- Gatishmëria për dialog dhe për t’i dëgjuar të tjerët, siç ka qenë praktika profetike me ata që nuk i besonin;
3- Pranimi i mendimit të tjetrit kur mbështetet në argument, sepse qëllimi i dialogut duhet të jetë triumfi i së vërtetës dhe jo ngadhënjimi vetjak;
4- Respektimi i mendimit të tjetrit, kur nuk bie dakord me të, siç e tregon tradita e dijetarëve të mëdhenj që kanë thënë: “Mendimi im është i saktë, por mundet edhe të gaboj. Mendimi yt është i gabuar, por mundet edhe të kesh të drejtë”.
5- Krijimi i kushteve dhe premisave për një bashkëjetesë të qetë mes grupeve me përkatësi të ndryshme etnike, fetare e kulturore, me qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e vendit të përbashkët. Ky koncept i qytetarisë mbështetet në praktikën e Profetit Muhamed, kur hartoi Kushtetutën e Medinës, e cila sanksionoi bashkëjetesën në Medine dhe aleancën mes muslimanëve arabë, hebrenjve judaikë dhe arabëve paganë, me qëllim të përbashkët mbrojtjen e qytetit.
Në përfundim të leksionit të pranishmit drejtuan disa pyetje për lektorin, që kishin të bënin me konceptin e moderacionit dhe gjendjen në rajonin e Lindjes së Mesme. Thelbi i përgjigjes së tij ishte se, nëse ky koncept do të zbatohej siç duhet nga klasa politike arabe, në rajon nuk do të kishte më “Pranverë Arabe”, krizë që tashmë është kthyer në një “verë të nxehtë”.
Takimin e mbylli Drejtori i AIITC, i cili falënderoi dr. Al-Falah dhe duke bërë një përmbledhje të gjithë referatit dhe shtoi se shembulli më i mirë i bashkëjetesës fetare është Shqipëria. Më pas ftoi Nënkryetarin e KMSH, z. Bujar Spahiu për t’i dhuruar lektorit një certifikatë mirënjohjeje, që u jepet të referuesve në takimet e Akademisë së AIITC “Popuj dhe Kultura”.