Durrës, 16.10.2018
Edukimi i brezit të ri me frymën e besimit është një përgjegjësi e gjithë shoqërisë shqiptare. Besimi në Zot i bën fëmijët më të ndërgjegjshëm dhe korrektë ndaj familjes dhe shoqërisë. Pikërisht, këtij qëllimi i shërbejnë edhe kurset e Edukatës Islame që Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam realizon prej vitesh pranë xhamive nën kujdesin e tij.
Për mbikëqyrjen e mbarëvajtjes së këtyre kurseve, përgjegjësi i sektorit të mualimëve dhe Qendrave social-kulturore pranë këtyre xhamive, Pëllumb Jaupaj, pati kënaqësinë të vizitonte xhaminë Ferraj në qarkun e Tiranës, ku mbi 20 fëmijë të grupmoshës shkollore, 6 deri në 14 vjeç, ndjekin rregullisht kurset e edukatës islame.
Në kuadër të inspektimit, Jaupaj u njoh me përgatitjen e kursantëve dhe metodat bashkëkohore të përdorura për mësimin e lëndëve: Kuran, Fikh, Edukatë islame, Historia e Profetit (a.s.) etj. Baza pedagogjike e përdorur në këto kurse janë botimet më të mira të AIITC në fushën e fesë islame. Gjatë një bashkëbisedimi me fëmijët, u vu re se ata kishin përfituar mjaft njohuri mbi lëndët që ndjekin në këtë kurs.
Këto njohuri do t′u shërbejnë fëmijëve gjatë gjithë jetës së tyre, për të krijuar bazat e një shoqërie të shëndoshë, me parime dhe kode etike të domosdoshme. Po kështu, këto kurse janë hapi i parë për kursantët që duan të vazhdojnë zgjerimin e njohurive, me synimin e ndjekjes së studimeve të mëtejshme mbi këtë fushë. Inspektimi i kurseve të edukatës islame do të vazhdojë gjatë ditëve në vazhdim edhe në të gjithë xhamitë e tjera që ndodhen nën kujdesin e AIITC, për t′u siguruar fëmijëve të komunitetit një shërbim sa më cilësor dhe me vlera të larta morale.