Durrës, 31.10.2018

Një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e gjuhës shqipe dhe arsimin kombëtar ka dhënë kleri mysliman shqiptar, mes të cilëve emra të njohur intelektualësh e personalitetesh, hartues të një numri alfabetesh dhe abetaresh të gjuhës shqipe, si Hoxhë Hasan Tahsini, Haxhi Hafiz Ali Korça, Hafiz Ali Ulqinaku, Daut Boriçi, Said Najdeni, Rexhep Tetova etj.

Ashtu si në të gjithë vendin, edhe në Ishëm klerikët kanë luajture një rol të pazëvendësueshëm për kultivimin e vlerave fetare e kulturore mes banorëve, duke nxitur tek ata ndjenjën e solidaritetit dhe mirëkuptimit. Pikërisht ky kontribut ishte në qendër të aktivitetit të organizuar nga Qendra Social-Kulturore Ishëm, në bashkëpunim me shkollën e mesme të bashkuar “Rexhep Mezini”, me temë “Kontributi i klerikëve, pjesë e pandarë e vlerave dhe kulturës në shoqërinë ishmake”.

Aktiviteti u zhvillua në ambientet e xhamisë Ishëm, ku merrnin pjesë nxënës të shkollës, mësues, intelektualë dhe besimtarë të zonës. Ligjërues ishin mësuesit Pëllumb Beja, Altin Dervishi dhe nxënësja Ana Çerri. Në materialet e tyre ata kishin përzgjedhur disa nga momentet më të rëndësishme të historisë së kësaj zone, ku klerikët kanë dhënë ndihmesën e tyre të veçantë, për ruajtjen e vlerave, kulturës dhe traditave të kahershme të shoqërisë ishmake. Në fund të pranishmit iu bashkuan koktejit të organizuar me këtë rast, ku patën rastin të diskutonin edhe më gjerë mbi këtë temë mjaft tërheqëse.