– Mbyllet me sukses edicioni i 14-të i Akademisë AIITC “Popuj dhe Kultura” –
Tiranë, 11.01.2019
Prania e muslimanëve në Europë ka një histori të hershme mbi një mijë vjeçare, ashtu si dhe kontributi i tyre nëqytetërimin europian. Fillimisht nëpërmjet Gadishullit Iberik e më pas nëpërmjet Gadishullit Ballkanik dhe viseve të Europës Lindore, sot kontinenti europian numëron një popullatë muslimane prej rreth 50 milionë banorësh, të përkatësive të ndryshme etnike. Rreth gjysma e tyre janë autoktonë, kryesisht në Ballkan dhe në Europën Lindore, ndërsa pjesa tjetër kryesisht të vendosur në Europë gjatë 200 viteve të fundit nga vende të ndryshme të botës islame (Afrika e Veriut, Turqia, India etj.). Për të folur rreth kësaj pranie të muslimanëve në Europë, veçanërisht në vendet e Bashkimit Europian, AIITC organizoi takimin e radhës të Akademisë së tij “Popuj dhe kultura”. I ftuar nderi për të trajtuar këtë çështje ishte Dr. Mohamed Bechari, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Botëror të Komuniteteve Muslimane, një udhëheqës dhe figurë publike shumë dinamike e produktive në panoramën e muslimanëve të Europës.
Takimin e çeli drejtori i Institutit AIITC, Dr. Ardian Muhaj, i cili theksoi se kjo temë është gjithnjë aktuale dhe ngjall interes, veçanërisht për Shqipërinë që shquhet për traditën e pasur në aspektin e identitetit shumëkulturor, ndërfetar dhe ndërqytetërimor. Më pas e mori fjalën Dr. Bechari përmendi në fillim të fjalë së vet njohjen e tij me Shqipërinë dhe zhvillimet e Islamit në të, nëpërmjet takimeve të herëpashershme me hirësinë e tij Hfz. Sabri Koçi, në samite dhe kongerese të ndryshme gjatë dekadës së parë të viteve ‘2000. Më tej ai e përqendroi ligjëratën e tij në sfidat e muslimanëve që prej vendosjes së tyre në Europë e deri sot.
Duke sjellë një panoramë gjeografike të muslimanëve në Francë, Gjermani, Britani, Hollandë, Belgjikë, Austri etj., ai theksoi se sot vihet re një prezencë e qendrueshme e tyre në këto vende ku gezojnë të drejta të plota për të praktikuar fenë islame. Ata kanë ndërtuar qendrat dhe infrastrukturën e nevojshme arsimore e kulturore, duke dhënë kontribut të madh në shumë fusha, si në shkencë, arkitekturë, arsim, teknologji, mjekësi, art, kulturë etj. Tashmë kanë arritur të bëjnë karrierë, të sigurojnë pozita strategjike dhe poste të rëndësishme politike e diplomatike, si ministra, zv.ministra, nënkryetarë parlamenti, ambasadorë etj.
Dr. Bechari përmendi 4 modele të pozicionimit ligjor të muslimanëve në Europë. Modeli anglo-sankson i aplikuar në Britani, Skandinavi dhe Hollandë, ku shteti i njeh si pakica fetare dhe garanton të drejtat e tyre për ushtrimin e fesë. Modeli gjerman ku shteti njeh vetëm dy kisha, çdo qeveri landi ka politikën dhe pakicat fetare i trajton ligjërisht mbi bazën e marrëveshjeve që lidh për organizatat e tyre përfaqësuese. Modeli i Austrisë dhe Kroacisë, që e njohin Islamin si fe, në kuadër të shtetit laik dhe për rrjedhojë shtetin financon strukturat administrative dhe arsimore fetare, si dhe sanksionon të drejtën e tyre në arsimin publik. Modeli francez, një model laik i veçantë, ku shteti është i paanshëm dhe nuk i njeh praktikat e komuniteteve fetare, por pranon dhe garanton ushtrimin e riteve fetare. Aktualisht në Francë jetojnë e punojnë rreth 6 milionë muslimanë, në Gjermani janë vendosur 5 milionë, ndërsa në Britani numërohen mbi 4 milionë muslimanë.
Sipas tij, dy prej ngjarjeve me ndikimin më të madh në jetën e muslimanëve të Europës janë shembja e kullave binjake në New York në vitin 2001 dhe krijimi i shtetit ISIS në vitin 2014, që shkaktuan mjaft frikë dhe sjellje jomiqësore ndaj muslimanëve, gjë që solli përhapjen e vrullshme të islamofobisë. Pavarësisht kësaj, e ardhmja e muslimanëve të Europës është mjaft optimiste, si pasojë e vullnetit politik të udhëheqësve të shteteve për t’i trajtuar muslimanët europianë, si pjesë e pandashme e Europës.
Ai theksoi se sfida e muslimanëve europianë është që të integrohen plotësisht në shoqëritë ku jetojnë. Për ta arritur këtë si duhet, sipas tij duhet bërë rinovimi i ligjërimit dhe i arsimit fetar në përputhje me realitetin e tyre. Pra, imamët në Europë, përveç formimit të shkëlqyer fetar, duhet të jenë të formuar mbi kulturën dhe filozofinë e shtetit në të cilin ata jetojnë dhe predikojnë. Kjo për të shmangur ecjen mbi bazën e emocioneve dhe ekstremizmave fetare që çojnë në krijimin e grupeve separatiste dhe që nxisin besimtarët drejt konflikteve.
Në përfundim të fjalës së tij, Dr. Bechari nuk mohoi problemet, por theksoi se nuk ka persekutim dhe përndjekje të muslimanëve në Europë dhe se nxirja e realitetit nuk është aspak në favor të bashkëjetesës së qetë e paqësore.
Leksioni i tij u ndoq me mjaft interes nga të pranishmit, studiues, përfaqësues të trupit doplomatik, intelektualë e studentë, të cilët patën mundësinë t’i drejtojnë edhe disa pyetje mbi këtë çështje. Në fund të këtij takimi, Kryetari i Bordit Drejtues të AIITC, Dr. Faruk Borova e vlerësoi të ftuarin dhe i dorëzoi atij një certifikatë mirënjohje për kontributin e tij në Akademinë AIITC “Popuj dhe kultura”, duke sjellë shembuj mjaft pozitivë, por edhe eksperiencën e tij personale intelektuale.