Tiranë, 14.01.2019
Historiku i marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kuvajtit daton përpara vendosjes së sistemit pluralist në Shqipëri. Në fund të viteve tetëdhjetë shteti kuvajtian ka qenë ndër të parët që dhuroi ndihma dhe kontribute për popullin shqiptar. Që prej vitit 1993, Kuvajti vazhdon të luajë një rol humanitar, nëpërmjet Fondit Kuvajtian të Zhvillimit. Këtë fakt pothuajse të panjohur për shoqërinë shqiptare, e bëri publike i Ngarkuari me Punë i Kuvajtit në Shqipëri, z. Khaled Al-Shami, gjatë një vizite që përfaqësues të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam zhvilluan në ambientet e ambasadës kuvajtiane në Tiranë. Vizita u zhvillua në kuadër të përpjekjeve të Institutit AIITC për zgjerimin e marrëdhënieve bashkëpunuese me miq e dashamirës të zhvillimit kulturor dhe ekonomik të shoqërisë shqiptare.
Gjatë takimit u trajtuan dhe u diskutuan çështje të ndryshme historike e kulturore, ku të dy palët theksuan rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe rolin e saj në Shqipëri, për të ruajtur këtë model unik të bashkëjetesës ndërfetare.
Z. Al-Shamij u njoh me ndryshimet strukturore drejtuese të AIITC, duke i uruar drejtorit Muhaj suksese në detyrën e tij të re. Ai shprehu gatishmërinë për vazhdimin e mbështetjes në realizimin e projekteve me interes reciprok mes dy palëve.
Nga ana e tij, drejtori i AIITC sqaroi rëndësinë e mbështetjes së Kuvajtit, si një shtet me kontribute të mëdha humane, ekonomike dhe kulturore në vendin tonë. Ndër të tjera, ai nënvizoi mundësitë e reja të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e kulturës dhe jo vetëm.
Në fund të takimit, Kryetari i Bordit Drejtues të AIITC, Dr. Faruk Borova, falënderoi Ambasadën e Kuvajtit për mikpritjen e ngrohtë dhe e ftoi ambasadorin për një vizitë në AIITC, si një mundësi e mirë për të diskutuar hollësisht idetë që u parashtruan gjatë këtij takimi miqësor.