Titulli: Të jetojmë me Kuranin – Koment i vlerave të Kuranit fisnik (suret El-Fatiha dhe El-Bekare)

Autor: Fatima bint Omar Nasif

Nr. i faqeve: 430

Botues: AIITC

ISBN: 978-9928-126-20-7

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam sjell në duart e lexuesve një libër mjaft të dobishëm për të gjithë besimtarët muslimanë. Vëllimi i parë i veprës me titull “Të jetojmë me Kuran – Koment i vlerave të Kuranit Fisnik”, i autores Dr. Fatima bint Omar Nasif, sapo ka dalë nga shtypi. Ky është kreu i një pune voluminoze, përmes së cilës autorja ka si qëllim t′u vijë në ndihmë të gjithë atyre që nuk duan thjesht ta lexojnë Kuranin, por që duan ta kuptojnë dhe të jetojnë sipas udhëzimeve të tij. Në këtë vëllim janë pasqyruar vlerat kuranore të sureve El-Fatiha dhe El-Bekare, si dhe shpjegimi i detajuar i tyre.

Në libër autorja nënvizon se janë bërë shumë përpjekje dhe janë shpenzuar shumë energji për të hapur me qindra kurse për recitimin e saktë të Kuranit, por kjo nuk mjafton, nëse nuk meditojmë mbi Kuranin dhe nuk jetojmë e veprojmë sipas tij. Prandaj ajo synon që në këtë libër çdo lexues të gjejë në ajetet kuranore shpjegimin për çdo veprim që duhet të kryejë në jetë, duke zbatuar kështu normat e Islamit dhe duke respektuar Librin e Shenjtë, i cili zbriti si për t’i treguar njerëzimit rrugën drejt suksesit dhe lumturisë. Sipas saj, mungesa e lumturisë është vështirësia më e madhe e jetës dhe ky është realiteti që përjeton bota islame sot, në shumicën e shoqërive të saj.

Dr. Fatima bint Omar Nasif ka bashkëjetuar me Kuranin gjatë 45 viteve si mësimdhënëse e tij, çka e ka ndihmuar ta ketë më të thjeshtë realizimin e këtij libri. Përmes një komenti të thjeshtë e të qartë, ajo nxjerr në pah disa prej vlerave kuranore, megjithatë kjo çështje është shumë e gjerë për tʼu shteruar. Gjithashtu librit i është bashkëngjitur edhe një tabelë ku autorja ka shënuar vlerën e secilit ajet që gjendet në të, bashkë me zbatimin e tij praktik, me shpresën se kjo do t’ia lehtësojë lexuesit vënien në jetë të asaj çfarë ka mësuar. Në këtë mënyrë besimtari do të përmbushë qëllimin e Kuranit dhe do të jetojë me të.

Instituti AIITC vazhdon punën intensive për shtypjen e vëllimit të dytë të kësaj vepre dhe, së shpejti, lexuesit do të kenë mundësinë të njihen me vlerat kuranore të sures Al-Imran. Kolana e veprës “Të jetojmë me Kuran” e autores Fatima Nasif është një punë në proces, që synon të përfshijë të gjithë Kuranin.