Tiranë, 23.02.2019
Shfrytëzimi i të gjitha burimeve për argëtimin e fëmijëve është një domosdoshmëri dhe detyrë e prindërve dhe e gjithë komunitetit. Përveç angazhimit me kurse të ndryshme, fëmijët kanë nevojë edhe për kalimin e kohës së lirë në kënde lojërash apo institucione shtetërore, si teatri i kukullave, cirku, kopshti zoologjik, kopshti botanik etj. Qendrat Social-Kulturore të ngritura pranë xhamive në disa zona të vendit, nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, ofrojnë një mundësi të mirë për zhvillimin intelektual të fëmijëve, por edhe për argëtimin e tyre.
Duke i shërbyer këtij qëllimi, Qendra Social-Kulturore Baldushk organizoi një ekskursion në Kopshtin Zoologjik të Tiranës. Rreth 60 fëmijë, të shoqëruar nga stafi i kësaj qendre, panë nga afër dhjetëra kafshë e shpendë të ekspozuara, kryesisht lloje të egra që nuk i përkasin territorit shqiptar. Me kuriozitetin e një fëmije, ata u informuan në detaje për të gjitha speciet e kafshëve dhe shpendëve, mënyrën se si ato ushqehen dhe se si trajtohen. Fëmijë bënë edhe një xhiro pranë rezervuarit të vogël brenda Kopshtit Zoologjik, ku notojnë me dhjetëra mjellma, rosa dhe gjallesa nënujore.
Ekskursioni i fëmijëve të QSK Baldushk u shoqërua edhe me një album fotografish, për të memorizuar këtë kujtim kaq të veçantë, që synonte njohjen e fëmijëve nga afër me botën shtazore. Aktivitete të tilla do të jenë edhe në të ardhmen pjesë e programeve që organizon Sektori i Mualimëve pranë Institutit AIITC.