Libroteka e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam është pasuruar së fundmi me të tjerë tituj librash në gjuhën arabe, nga autori Dr. Fatih Ali Hasenejni Muhamed Sherif. Ai është një mjek sudanez dhe thirrës në Islam, themelues i Këshillit Islamik të Evropës Lindore, ndërsa në vitet 1990 shërbeu si këshilltar i Presidentit të Bosnjës, Alija Izetbegoviç. Njihet edhe si një nga udhëheqësit më të rëndësishëm që mbrojti ekzistencën e muslimanëve në Evropë.

Misionit të tij i shërben edhe ky dhurim për Librotekën AIITC, pasi librat e tij do të jenë në dispozicion të çdo lexuesi shqiptar, njohës të gjuhës arabe, për të zgjeruar edhe më tej dijet në fushën e shkencës dhe kulturës islame. Pjesë e fondit të dhuruar janë 3 vëllimet e librit me titull “Ejuha el-Ueled el-Muhib”. Kjo kolanë është një përmbledhje me këshilla të Llukmanit dhe me urtësi dijetarësh, që vjen si manual me disa seri, drejtuar rinisë.

Një tjetër vepër historike e këtij autori është libri me titull: “Kisatu Harb busne ue hersek”. Në këtë vepër autori na njeh me historinë e luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku ai flet për një pjesë të madhe të betejave që kanë ndodhur në këtë luftë.
Këto vepra janë botuar në Sudan, përgjatë viteve 2014-2017, dhe trajtojnë tematika të ndryshme sociale, duke parashtruar disa nga pikat kyçe përmes të cilave mund të fuqizohet rinia, si bazë e çdo shoqërie.

Libroteka AIITC shpreh vlerësimin maksimal për veprat e lartpërmendura dhe, njëkohësisht, përgëzon dhe i shpreh mirënjohjen autorit për kontributin e tij të vyer në fushën e qytetërimit dhe të kulturës islame.