Tiranë, 22.02.2019

Qendra e Gjuhëve të Huaja pranë Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam vazhdon zhvillimin e kurseve për mësimin e gjuhëve, si anglisht, gjermanisht, turqisht e arabisht. Ajo çfarë i shtyn të rinjtë të ndjekin këto kurse pranë qendrës sonë, janë kushtet komode të mësimdhënies, përdorimi i metodave bashkëkohore dhe mësues të kualifikuar.

Muaji shkurt shënoi mbylljen me sukses të nivelit të parë të gjuhës arabe, pas një pune intensive dhe përkushtimit maksimal të kursantëve dhe stafit të Qendrës së Gjuhëve AIITC. Përgjatë tre muajve, ata përvetësuan njohuritë bazë mbi shkrimin arab, leximin e fjalëve dhe krijimin e fjalive arabisht, duke synuar ndërtimin e themeleve për njohjen e mëtejshme të kësaj gjuhe. Metodat e përdorura gjatë mësimdhënies, ishin: abetarja “Hap pas hapi mësojmë arabisht”, botim i Institutit AIITC, si dhe libri “Madinah Arabic Reader 1”. Përmes këtyre metodave, kursantët arritën të ndërvepronin me njëri-tjetrin, duke vendosur në praktikë njohuritë e fituara gjatë këtij kursi.

Të interesuarit për mësimin e arabishtes janë kryesisht të rinj, të cilëve njohja e kësaj gjuhe u shërben në drejtime të ndryshme. Mësimdhënia e gjuhës arabe pranë qendrës sonë ofrohet falas dhe, pas çdo niveli, kursantët i nënshtrohen testit final, ku vlerësimi i tyre pozitiv bën që të certifikohen në bazë të njohurve të përvetësuara.

Së shpejti, Qendra e Gjuhëve të Huaja AIITC do të fillojnë mësimin me klasat e reja, të ndara sipas grupmoshave, për të gjitha nivelet e arabishtes. Për t’u bërë pjesë e këtyre klasave, kursantët duhet të regjistrohen online, ose pranë sekretarisë së kësaj qendre