Autor: Bardhyl Rauf Fico
Botues: AIITC
Nr. i faqeve: 276
ISBN: 978-999-56-703-20
Gjuha, argumenti dhe arsyeja e faqeve të këtij libri i referohen dijes së autorit, që kalon përmes mendjes dhe zemrës. Polemika e tij duket sikur përqendrohet në një kundërpërgjigje ndaj mllefit të Oriana Falaçit, një intelektuale, gazetare dhe shkrimtare e njohur, e vlerësuar dikur për etjen e saj në kërkim të së vërtetës, por që shokoi botën intelektuale me radikalizmin e saj racist, përmes botimit të veprës së saj “Mllefi dhe krenaria”, lidhur me ngjarjet e 11 shtatorit 2001. Baza e polemikës janë idetë dhe pathosi i saj urrejtës dhe përbuzës ndaj gjithë botës islame. Vepra e saj nxit konfrontimin e hapur mes kulturave, traditave dhe feve, duke i vendosur ato në një antagonizëm përjashtues me njëra-tjetrën.
Përkundrejt kësaj, libri “Anamorfoza e mesazhit të Madh” është provë e urtësisë, durimit dhe logjikës së pastër. Vlera e këtij libri është aktuale, për këdo që cenon provokon dhe bën atentat mbi imazhin e një pjese të njerëzimit, cilado qoftë ajo. Në një kontekst më të gjerë, ky libër është një polemikë universale ndaj të gjithë atyre që përfaqësohen përmes figurës së Falacit e që ndajnë të njëjtën ndjenjë të islamofobisë. Lakonizmi i fjalëve, referencat e dendura verbale nga kulturat e Lindjes dhe Perëndimit janë sfondi sintetik i librit, mes të cilit idetë dhe akuzat e zonjës Falaci janë një absurditet që dëshmon se në çfarë gremine mund të udhëhiqet njerëzimi.
Papërgjegjshmëria nihiliste dhe thirrja absurde, tipike mesjetare, për ringritjen e Kryqëzatave kundër qytetërimit të botës islame, i përngjajnë ideve naziste e raciste që e thellojnë edhe më tej hendekun e arsyes së bashkëjetesës për mirëkuptim e paqe mes qytetërimeve. Bardhyl Fico në këtë libër ka arritur të shpjegojë më së miri thelbin hyjnor të fesë paqësore, duke bërë distancimet nga aventurierët kokëkrisur terroristë që nuk e përfaqësojnë aspak Islamin. Përmes shpërfaqjes së lavdisë dhe veprës së Profetit Muhamed (a.s.) dhe dijetarëve muslimanë, autori ngre lart vlerën e këtij qytetërimi me një ndikim të madh në kulturën Perëndimore e botërore.
Autori sjell fakte historike mbi ndikimin e fesë islame në historinë botërore: përmes kontributit të Islamit në disa fusha të shkencës dhe të jetës; përmes mendimeve të intelektualëve mbi Muhamedin (a.s.), Kuranin dhe fenë islame; përmes ndikimit të Perandorisë Osmane në Evropë e më gjerë; përmes ndikimit të Islamit në letërsinë botërore etj. Pas gjithë këtyre fakteve të pamohueshme, autori i rikthehet edhe një herë atij çasti aq të brishtë që tronditi identitetin e zonjës Falaçi, duke shtuar mllefin e saj drejt sindromës së pashërueshme të neurozës islamofobike. Të gjitha qasjet që autori përcjell në libër, janë përgjigje për çdo shpirt të trazuar dhe mosbesues, sepse kjo vepër është e shkruar me arsyen e dashurisë dhe me etjen për iluminim mendor e shpirtëror.