Tiranë, 13.03.2019
Drejtues të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam zhvilluan një vizitë në selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ku u pritën nga kreu i ri i këtij institucioni, H. Bujar Spahiu. Pas emërimit në postin drejtues të KMSH-së, zoti Spahiu ka marrë dhjetëra urime nga përfaqësues të politikës, trupit diplomatik dhe institucioneve të ndryshme nga brenda e jashtë vendit. Ky ishte edhe qëllimi i vizitës së drejtuesve të AIITC-së, ku merrnin pjesë Kryetari i Bordit Drejtues, ambasador Faruk Borova, Drejtori, dr. Ardian Muhaj, nëndrejtori, z. Alban Kodra dhe përgjegjësi i Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë, z. Ubejd Osmani.
Takimi nisi me urimin e përzemërt ndaj Kryetarit H. Bujar Spahiu, për suksese e mbarësi në udhëheqjen dhe drejtimin e Komunitet Mysliman të Shqipërisë. Më pas, biseda u përqendrua në çështje të ndryshme, ku u prek edhe bashkëpunimi i deritanishëm mes dy institucioneve, në shërbim të kulturës dhe vlerave islame në vendin tonë. Palët shprehën gatishmërinë e tyre për vijimësinë e këtij bashkëpunimi, për të dhënë kontributin e tyre pozitiv në shoqëri.
Nga ana e tij, Kryetari i KMSH-së H. Bujar Spahiu falënderoi drejtuesit e AIITC-së për urimet e tyre dhe nënvizoi përgjegjësinë e lartë të detyrës së re. Ai çmoi përpjekjet e të gjithë faktorëve për përhapjen e vlerave të vërteta të Islamit. Njëherësh ai shprehu angazhimin e tij për të vijuar rrugën e etërve themelues të KMSH-së 96 vjet më parë dhe për të konsoliduar më tej këtë institucion, që është i të gjithë muslimanëve të Shqipërisë.
Në takim, përfaqësia e AIITC-së i bëri një dhuratë simbolike Kryetarit Spahiu, botimin në shqip të dy burimeve kryesore të Islamit: Kurani i Madhërishëm dhe Muhtesar Sahih el-Buhari.