Divjakë, 10.03.2019
Fëmijët e kurseve të edukatës islame në xhaminë “Dar Al Nur” të Rrogozhinës kaluan një fundjavë të këndshme në pyllin dhe bregdetin e Divjakës, ku patën mundësi të njiheshin me biodiversitetin: florën dhe faunën e pasur të kësaj zone, por edhe të argëtoheshin nën ajrin e pastër të pishave dhe detit.
Rreth 18 vajza dhe disa djem të këtyre kurseve, bashkë me mësuesen Rajmonda Sheshi dhe imamin e xhamisë, z. Imer Sheshi, morën pjesë në ekskursionin e organizuar nën kujdesin e Departamentit të Mualimëve, pranë Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam. Vendi i parë që vizituan, ishte kulla 360 G, e ndërtuar posaçërisht për të soditur peizazhin e mrekullueshëm që të ofron parku i Divjakës, i mbuluar me pisha e pemë të llojeve të ndryshme. Shëtitja vazhdoi me vëzhgimin e pelikanëve, ku fëmijët patën mundësi të bënin edhe foto pranë këtyre shpendëve të rrallë.
Më tej, fëmijët vazhduan ecjen e lirë nëpër pyll, deri në breg të detit, ku panë nga afër procesin e peshkimit, pasi kjo zonë është e mbushur me peshkatarë. I gjithë udhëtimi u shoqërua me ilahi e vjersha të ndryshme, të kënduara dhe interpretuara nga vajzat e kurseve të edukatës islame. Pasi hëngrën drekën, fëmijët vazhduan zbavitjen në këndin e lojërave që ofronte një resort aty pranë. Në fund të këtij udhëtimi mbresëlënës, fëmijët u kthyen në shtëpi me ndjesitë më të mira nga ky ekskursion që do të mbetet gjatë në kujtimet e fëmijëve.