Vlorë, 29.03.2019

Shkolla “Avni Rustemi” në fshatin 3 Vllazër të Vlorës i është nënshtruar rikonstruksionit të plotë dhe është gati për të pritur nxënësit në vazhdimin e procesit mësimor. Rikonstruksionin e kësaj shkolle e mori përsipër Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam. Punimet përfunduan brenda 4 muajve dhe tashmë ky investim do t′u shërbejë më shumë se 100 nxënësve që frekuentojnë këtë institucion arsimor.

Në ceremoninë e përurimit të shkollës ishin të pranishëm përfaqësues të Bashkisë Vlorë, njësisë bashkiake Novoselë, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore të rrethit, stafi pedagogjik dhe nxënësit e shkollës, drejtues të AIITC etj. Në fillim të kësaj ceremonie përshëndetën Kryetari i Bashkisë Vlorë, z. Dritan Leli, dhe drejtoresha e shkollës “Avni Rustemi”, znj. Nertila Ferunaj, të cilët falënderuan nga zemra donatorin dhe AIITC. Kryetari i kësaj Bashkie shprehu mirënjohjen për këtë kontribut, që sipas tij është një investim për edukimin e brezave që do të vijnë. Ai gjithashtu theksoi se Bashkia e Vlorës do të shtrojë rrugën e re nga hyrja e fshatit, deri në qendër, tek xhamia dhe shkolla.

Më pas, fjalën e rastit e mori Kryetari i Bordit Drejtues të AIITC, Dr. Faruk Borova, i cili falënderoi donatorin dhe përgëzoi banorët dhe nxënësit për shkollën e rinovuar. Ai uroi rritjen e cilësisë së mësimit dhe që brezat e rinj ta vlerësojnë siç duhet këtë donacion. Të pranishmit vizituan ambientet e brendshme të shkollës së rikonstruktuar, për të parë nga afër këtë investim mjaft cilësor dhe me perspektivë, i kryer me përkushtim nga sipërmarrësi Shpend Ymeraj.

Në përfundim, nxënësit e shkollës mbajtën një program të shkurtër artistik me këngë e poezi. Të gjithë shprehën falënderimin e tyre për AIITC dhe donatorët, duke premtuar se do të kujdesen për shkollën e rinovuar.