Qendrat social-kulturore, të ngritura nën kujdesin e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, vazhdojnë aktivitetin e tyre, të fokusuara kryesisht në edukimin e fëmijëve dhe në formimin profesional të banorëve të zonës. Janë 22 Qendra social-kulturore në disa qytete të Shqipërisë, të cilat japin kontributin e tyre të vazhdueshëm në ndihmë të komunitetit. Ato ofrojnë kurse të gjuhëve të huaja për fëmijët e moshave shkollore, kurse përgatitore për provimet e maturës shtetërore, kurse rrobaqepësie për gra e vajza, si dhe zhvillojnë veprimtari artistike e kulturore me fëmijët që frekuentojnë këto qendra.
Kurset e gjuhëve të huaja aktualisht frekuentohen nga më shumë se 100 fëmijë të grupmoshave shkollore. Mësimi zhvillohet nga mësues profesionistë, që përdorin metoda e programe bashkëkohore të mësimdhënies, duke vënë theksin në gërshetimin e teorisë me praktikën, në mënyrë që kursantët të jenë sa më interaktivë.
Për sa i përket formimit profesional, në QSK e fshatit Malbardhë ndjekin kursin e rrobaqepësisë dy grupe me nga 10 gra e vajza që duan të marrin këtë zanat. Po kështu edhe në QSK Çetë vazhdojnë kursin e rrobaqepësisë 10 gra e vajza. Kurset hapen në bazë të kërkesave të vetë banorëve të zonës.
Qendrat social-kulturore të AIITC, nën kujdesin e Departamentit të Mualimëve, kanë organizuar edhe një sërë veprimtarish, si promovim i figurave të personaliteteve dhe intelektualëve të shquar, aktivitete artistike dhe ekskursione me fëmijët, ku ata kanë mundësinë jo vetëm të argëtohen, por edhe të njihen me historinë, kulturën dhe traditat e popullit shqiptar. Qëllimi i këtyre qendrave është zgjerimi i mëtejshëm i veprimtarisë, në mënyrë që prej tyre të përfitojnë sa më shumë fëmijë e të rritur.