Tiranë, 15.04.2019
Me rastin e 96-vjetorit të lindjes së historianit dhe studiuesit Ibrahim D. Hoxha, nëndrejtori i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, z. Alban Kodra, dhe përgjegjësja e Librotekës AIITC, znj. Afërdita Hyseni, zhvilluan një vizitë ne shtëpinë e studiuesit të mirënjohur, një nga aktivistët e çështjes sonë kombëtare. Duke e uruar për jetëgjatësi dhe suksese në punën e tij shkencore, ata vlerësuan kontributin e tij shumëvjeçar, si një nga bashkëpunëtorët më të vjetër të këtij Instituti.
Mes emocioneve, profesor Hoxha shprehu mirënjohjen për këtë vlerësim, por edhe për mbështetjen e vazhdueshme dhe kujdesin e veçantë që AIITC ka treguar ndaj tij gjatë gjithë këtyre viteve. Duke vënë theksin në bashkëpunimet e njëpasnjëshme me AIITC, sidomos në fushën e botimeve, ai shprehu dëshirën që veprat e tij të shërbejnë si pikë referimi dhe si një burim informacioni për brezin e ri, për pasurimin e dijes së tyre letrare e kulturore.
Gjatë kësaj vizite, përfaqësuesit e AIITC i dorëzuan studiuesit Hoxha edhe një Certifikatë Mirënjohjeje, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të madh në lëmin e studimeve shqiptare, veçanërisht në ato historike, folklorike dhe etnografike për trevën e Çamërisë, si dhe për bashkëpunimin shumëvjeçar me AIITC, me të cilin ka nxjerrë një numër të rëndësishëm nga veprat e tij.
Ibrahim Daut Hoxha rrjedh nga një familje e shquar atdhetare çame. Gjatë gjithë jetës së tij, iu përkushtua studimeve shkencore mbi historinë shqiptare, veçanërisht atë të Çamërisë, mbledhjes së folklorit dhe publicistikës. Ai ka bashkëpunuar prej vitesh me shumë personalitete vendas e të huaj, miq e dashamirë të shqiptarëve, për lartësimin e çështjes kombëtare shqiptare kudo në botë.
Është autor i një numri të madh veprash, ku spikatin enciklopeditë dhe botimet e shumta për çështjen kombëtare. Ndër to, mund të përmendim: “Këngë popullore çame”, “Nëpër udhën e penës shqiptare”, “Turqit dhe Shqiptarët”, “Çamëria dhe Janina në vitet 1912 – 1922” (artikuj studimorë), “Visaret kombëtare shqiptare në shtetin grek”, “Enciklopedia Jugshqiptare”, “Shqipëri, moj dritë ylli”, “Bilbila dhe thëllëza çame” etj. AIITC arriti të botojë edhe dy vëllimet e tij të fundit poetike: “Edhe 100 vjet po të rroja” dhe “Vetëmohova djalërinë”.