Tiranë, 28.04.2019

Në prag në Muajit të Shenjtë të Ramazanit, fëmijët e Qendrës social-kulturore Baldushk kanë nisur përgatitjet për ta pritur sa më mirë këtë muaj të mirësisë dhe dashurisë ndaj Zotit. Në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, kjo qendër organizoi në xhaminë Baldushk një veprimtari festive, nën moton: “Ramazani, pranvera e zemrave tona”.
Ajo nisi me leximin e disa pjesëve kuranore nga fëmijët e kursit të Edukatës Islame dhe, më pas, të pranishmit ndoqën një program të pasur artistik, që përmbante recitim poezish në gjuhën angleze, interpretim i ilahive, ligjërata, një minidramë etj.

Në fjalën përshëndetëse përgjegjësi i Departamentit të Mualimëve, z. Pëllumb Jaupi, përgëzoi fëmijët e kësaj qendre për përkushtimin e madh jo vetëm ndaj këtij aktiviteti, por ndaj këtij Muaji mjaft të rëndësishëm për të gjithë besimtarët muslimanë. Ai theksoi se mbështetja e AIITC do të jetë e vazhdueshme për veprimtari të tilla që synojnë edukimin dhe argëtimin e brezit të ri.
Ndërsa imami i xhamisë Baldushk, z. Mitat Kacollja, mbajti një ligjëratë të posaçme mbi Muajin e Ramazanit, rëndësinë e agjërimit gjatë këtij muaji dhe përfitimet që vijnë prej tij. Fëmijët shpërfaqën talentin e tyre përmes një minidrame, por treguan edhe aftësitë e fituara në kurset e gjuhës angleze, përmes recitimit të poezive në anglisht. Prindër, të afërm dhe besimtarë të zonës e ndoqën me mjaft interes aktivitetin dhe në fund iu bashkuan një kokteji të organizuar me këtë rast.