Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam nxori nga shtypi dy përmbledhje mjaft interesante, pjesë e kolanës së Librave të Shkurtër të Institutit Ndërkombëtar të Mendimit Islam. Këta libra janë shkruar në formë të kondensuar, për t’u dhënë lexuesve thelbin e përmbajtjes së origjinalit dhe janë të lehtë në lexim.
*************************************************************************
Libri: Anësia epistemologjike në shkencat fizike dhe sociale
Autor: Abdelwahab M. El-Messiri
Botues: IIIT, CNS, AIITC
Nr. faqeve: 50
ISBN: 978-9928-126-18-4
“Anësia epistemologjike në shkencat fizike dhe sociale” i autorit Abdelwahab M. El-Messiri, është pjesë e kolanës së Librave të Shkurtër HIT. Ai shqyrton një çështje akademike të rëndësishme, por të lënë pas dore: adoptimin e gjerë dhe pranimin e paradigmave, terminologjive dhe modeleve kërkimore të huaja ndaj realiteteve socio-ekonomike-fetare të botës muslimane.
Hulumtuesit kudo në botë përballen me terminologji dhe paradigma të importuara kryesisht nga bota perëndimore. Këto paradigma kanë përparësi sidomos në fushat ekonomike dhe politike të Perëndimit, por jo gjithmonë lidhen me realitetin e popujve joperëndimorë, prandaj mund të kenë një efekt shtrembërues. Shumë metafora epistemologjike të nënkuptuara vijnë të njëanshme dhe të gatshme nga Perëndimi, duke kufizuar lirinë e kërkimit dhe të mendimit. Pikërisht ky është edhe qëllimi i këtij libri, që kërkon të theksojë karakterin krijues e revolucionar të anësisë kundërshtuese, si dhe të ndihmojë lexuesit ta njohin dhe ta kapërcejnë atë.
Në kapitullin e pestë “Anësia në kurrikula dhe në përmbajtje të lëndëve” ai shkruan: “Niveli i hulumtimeve në fushën e civilizimit islamik deri vonë ishte monopolizuar nga kolonialistët apo misionarët e zellshëm, të sigurt për epërsinë e tyre kulturore e fetare, por të pavetëdijshëm për anësinë e tyre epistemologjike. Vetëm kohët e fundit kemi filluar të lexojmë veprat e shkencëtarëve socialë evropianë, të cilët e shikojnë qytetërimin islam jo si një objekt antik që duhet admiruar apo dënuar, por si një proces social i prekshëm ndaj ligjeve universale të ndryshimit. Në vend të kapitalizmit, racionalizimi mund të jetë një term më i përgjithshëm dhe i përshtatshëm, në lidhje me studimin e qytetërimit islam”.
Autori vëren se Anësia (mbrojtja e një pikëpamjeje të veçantë) është e pashmangshme dhe rrjedh nga liria e zgjedhjes. Anësia drejt paradigmës kulturore perëndimore është një nga format më të përhapura të paragjykimeve në mbarë botën. Megjithatë, në 11 kapitujt e këtij libri ai mundohet të na tregojë disa mekanizma që mund të ndihmojnë për kapërcimin e anshmërive të tilla.
Ky botim i Institutit Ndërkombëtar të Mendimit Islam (IIIT) dhe Qendrës për Studime të Avancuara (CNS) u mor përsipër të botohej edhe në gjuhën shqipe nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam.
*********************************************************************
Libri: Duke rimenduar gratë muslimane dhe mbulesën: Sfida ndaj stereotipeve historike dhe moderne
Autore: Katherine Bullock
Botues: IIIT, CNS, AIITC
Nr. faqeve: 53
ISBN: 978-9928-126-19-1
Libërthi “Duke rimenduar gratë muslimane dhe mbulesën: Sfida ndaj stereotipeve historike dhe moderne” është pjesë e kolanës së Librave të shkurtër HIT, botime të Institutit Ndërkombëtar të Mendimit Islam (IIIT) dhe Qendrës për Studime të Avancuara (CNS). Fillimisht, ky libër u botua në vitin 2002 dhe më pas u ribotua në 2007ën. Ndërsa në gjuhën shqipe erdhi me mbështetjen financiare të Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam.
Ai është një kritikë e fortë dhe inteligjente e nocionit popullor perëndimor të mbulesës, si një simbol i shtypjes së grave muslimane. Duke trajtuar shumë nga shqetësimet kyçe social-politike që kjo çështje globale ka ngritur, autorja shqyrton fiksimin historik të Perëndimit me mbulesën, vlerëson diskursin feminist dhe ofron një teori alternative të mbulesës. Një veçori e rëndësishme e këtij punimi është zëri që autorja u ka dhënë pikëpamjeve, mendimeve dhe përvojave të një grupi grash muslimane të intervistuara në Kanada për temën e hixhabit (mbulesës).
Nëpërmjet studimit të kujdesshëm dhe të përpiktë, në një zonë të mbushur me konceptime të gabuara historike e kulturore, autorja ka kërkuar të sfidojë disa nga bazat subjektive dhe negative të cilat po dominojnë sot në shumicën e diskutimeve mbi këtë çështje të rëndësishme. Ajo mundohet t′u japë përgjigje një sërë pyetjesh që ajo i ka përjetuar edhe vetë, si: Pse femrat e mbuluara trajtohen me keqardhje ose me përbuzje? Pse mbulesa shihej si simbol i shtypjes në Perëndim? Si mund të ndiheshim unë dhe miqtë e mi të përkushtuar ndaj diçkaje që e provuam se ishte çliruese, por ende të ishim në aq shumë konflikte me shoqërinë jomuslimane rreth nesh?
Pas kaq shumë dilemave, ajo mendoi se reagimi ndaj shamisë dhe mbulesës (hixhabit) ishte një temë e denjë për t’u eksploruar, duke sfiduar stereotipin popullor dhe paragjykimet perëndimore që bazohen në të ashtuquajturat nocione të barazisë dhe të lirisë. Këto kuptime liberale pengojnë mënyra të tjera të të menduarit për barazinë dhe lirinë, ashtu sikurse ndodh me femrat muslimane që duhet të jenë të lira të ushtrojnë besimin e tyre.
Autorja Bullock në pesë kapitujt e këtij libërthi trajton disa çështje, mes të cilave: Përvoja e veshjes së hixhabit në Toronto, Kuptimet e shumëfishta të hixhabit, Pikëpamja e mediave perëndimore, Gratë dhe seksualiteti në Kuran dhe Sunet, Hixhabi dhe shikimi mashkullor etj.