Tiranë, 01.05.2019
Ramazani është muaji i nëntë në kalendarin islamik, një nga pesë shtyllat e besimit islam. Përveç agjërimit dhe bamirësisë, ky muaj ka edhe një tjetër moment shumë të rëndësishëm, përkujtimin e Zotit përmes lutjeve, ku besimtarët i përkushtohen leximit të Kuranit dhe shtimit të adhurimit nëpër xhami. Ramazani është muaji në të cilin agjëruesit përpiqen të pastrohen, nëpërmjet vetëpërmbajtjes dhe veprave të mira. Në mënyrë që vendet ku ata falen, të jenë sa më tërheqëse e të ngrohta, Departamenti i Mualimëve pranë Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam ndërmori një nismë për pastrimin dhe mirëmbajtjen e ambienteve të brendshme dhe të jashtme të gjithë xhamive të ndërtuara nën kujdesin e këtij instituti.
Në bashkëpunim me imamët dhe xhematet e këtyre xhamive, nisi puna për pastrimin e sallave të lutjeve, bibliotekave dhe vendeve ku merret abdes. Gjithashtu u sistemuan oborret e jashtme dhe lulishtet përreth xhamive. Kjo nismë u shtri në të gjitha xhamitë dhe fillimi i Muajit të Ramazanit do t′i gjejë ato më të bukura dhe të gatshme për të t′i uruar mirë se ardhjen besimtarëve agjërues, me lutjet e tyre që do të zgjasin për 30 ditë e net.
Ndërkohë, Departamenti i Mualimëve Pranë AIITC ka përgatitur edhe një program intensiv me iftare dhe aktivitete të larmishme që do të zhvillohen pranë këtyre xhamive, në kuadër të këtij muaji kaq të rëndësishëm për të gjithë besimtarët muslimanë.