Tiranë, 25.06.2019
Banorët e fshatit Ostren të rrethit Bulqizë prej vitesh vuanin mungesën e një qendre shëndetësore të mirëfilltë, pasi ajo ekzistuese ishte pothuajse e shkatërruar dhe nuk ofronte shërbimin e nevojshëm ndaj komunitetit. Duke qenë së fshati ndodhet rreth 25 kilometra larg qendrës së qytetit të Bulqizës, banorët e tij ishin të detyruar të udhëtonin në këmbë për nevojat e tyre shëndetësore, deri në qytet. Kjo situatë ishte edhe më e vështirë në dimër, kur fshati izolohet për shkak të reshjeve të shumta të dëborës.
Pavarësisht ankesave të shumta, askush nuk kishte marrë masa për rindërtimin e kësaj qendre. Por, pas kërkesës së kryeplakut dhe banorëve të këtij fshati, Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam mori përsipër rikonstruksionin e plotë të saj, duke e ndërtuar pothuajse nga e para. Qendra shëndetësore ndodhet karshi xhamisë së ndërtuar po nga AIITC dhe shumë pranë shkollës 9-vjeçare të fshatit. Një mjek dhe një infermiere janë gjithnjë në shërbim të komunitetit, sidomos të fëmijëve që frekuentojnë shkollën.
Pas një pune intensive tre-mujore, Qendra shëndetësore e Ostrenit tashmë është gati për t’i shërbyer rreth 1 mijë banorëve të kësaj zone. Përveç rindërtimit total të objektit, dhomës së mjekut, korridorit dhe tualetit, ajo është kompletuar edhe me të gjitha pajisjet dhe medikamentet e nevojshme, të cilat do t’u ofrojnë banorëve ndihmën e parë për të gjitha problemet e tyre shëndetësore.