Fenomene të tilla si vullkanet, tërmetet, përmbytjet apo stuhitë janë fatkeqësi natyrore me të cilat njeriu bashkëjeton çdo ditë, por që shkenca has vështirësi në shpjegimin apo paralajmërimin e tyre. Çdo muaj planeti ynë tronditet nga rreth 80.000 tërmete, të shkaktuara nga lëvizja e pllakave tektonike, por pjesa më e madhe e tyre janë thuajse të pandjeshme. Tërmeti i fuqisë 6.8 Rihter që goditi Shqipërinë, konsiderohet i fuqishëm dhe në të gjithë botën regjistrohen rreth 120 lëkundje të tilla çdo vit.

Duke marrë shkas nga situata e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit, që rriti frikën dhe pasigurinë në zemrat e njerëzve, Departamenti i Mualimëve në Institutin Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam organizoi aktivitetin me temë: “Tërmetet, ftesë për reflektim nga ndërtuesit dhe kujtim për besimtarët”, ku ligjërues ishin Dr. Edvin Ruka, studiues i shkencave islame, dhe arkitekti Ersen Dedja.

Pas hapjes së aktivitetit nga Përgjegjësi i Departamentit të Mualimëve, z. Pëllumb Jaupi, fjalën e mori Dr. Edvin Ruka i cili i konsideroi fatkeqësitë natyrore dukuri që duhet të na shërbejnë si përkujtim dhe paralajmërim. Tashmë është e vërtetuar, se zhvillimi industrial ka ndikuar edhe negativisht, sidomos në ndotjen e mjedisit apo zhdukjen e faunës. Edhe pse njeriu shumë prej këtyre dukurive si përmbytjet, tërmetet, stuhitë, vullkanet nuk arrin dot t′i shpjegojë plotësisht, ato përmenden në Kuran, çka është tregues i vërtetësisë së Librit të Shenjtë dhe i rëndësisë së besimit në Zot, si Krijues i gjithçkaje.  Ai këshilloi shtimin e lutjeve dhe falënderimeve ndaj Zotit, si ngushëllim ndaj fatkeqësive, por edhe si rruga më e mirë drejt përmirësimit të njeriut dhe shoqërisë.

Ndërsa arkitekti Ersen Dedja shpjegoi disa nga shkaqet e tërmeteve nga pikëpamja shkencore, pasojat e tyre në mjedis dhe gabimet njerëzore që vënë në rrezik jetën tonë. Fillimisht, ai u ndal në strukturën dhe përbërjen e tokës. Më pas bëri një klasifikim të tërmeteve sipas forcës së goditjes në Shkallë Rihter, sipas thellësisë dhe lëkundjes. Edhe pse tërmetet janë të papritura dhe nuk mund të parashikohen, masat që merren për parandalimin e dëmeve të shkaktuara prej tyre janë kryesisht në sigurinë e ndërtesave. Çdo ndërtues duhet t’i përmbahet normativave të legjislacionit në fuqi, i cili në Shqipëri parashikon që ndërtesat të përballojnë lëkundjet deri në 9 të shkallës Rihter. Sipas tij, ndërtimet pa kriter dhe moszbatimi i kushteve të sigurisë teknike në vendin tonë janë shkaktarët kryesorë të dëmeve materiale e njerëzore nga tërmetet.

Takimin e përshëndeti edhe kryetari i Bordit Drejtues të AIITC, Dr. Faruk Borova. Të pranishmit patën mundësinë të diskutojnë dhe të drejtojnë pyetje mbi temat e trajtuara në këtë takim sa informues, aq edhe ndërgjegjësues.