Kalendari 2020 u kushtohet 12 figurave të shquara islame me kontribut në edukimin kulturor e shpirtëror të shqiptarëve

Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam ka finalizuar procesin e shtypjes së kalendarit të tavolinës për vitin 2020, me logon e AIITC. 

Ndryshe nga herët e tjera, ideja e realizimit të kalendarit këtë vit është nderimi dhe përkujtimi i disa prej personaliteteve të shquara islame, me një kontribut të madh në edukimin kulturor e shpirtëror të shqiptarëve. 

Emra të mirënjohur si Hafiz Sabri Koçi, Ismail Ndroqi, Hafiz Ibrahim Dalliu, Vexhi Buharaja, Haki Sharofi, Haxhi Vehbi Dibra, Hasan ef. Nahi, Ferid Vokopola etj., janë pjesë e këtij kalendari. 

Informacionet mbi veprimtarinë e tyre patriotike dhe fetare janë përzgjedhur nga libri: “Zhvillimi i kulturës islame te shqiptarët gjatë Shekullit XX”, të autorit Prof. As. Dr. Ramiz Zekaj. Çdo muaji kalendarik i përket një prej 12 personaliteteve të përzgjedhura, ku përfshihet një biografi e shkurtër e secilit, një foto dhe një thënie tipike e tyre. 

Formati i kalendarit është i volitshëm dhe efikas për çdo tavolinë, duke ofruar një shërbim praktik, me një dizajn të thjeshtë dhe estetik. 

Gjithashtu ai është një organizues shumë i mirë, ku çdo muaj shoqërohet me muajt paraardhës dhe pasardhës, çka ndihmon në mirëllogaritjen e agjendës personale të gjithsecilit.